Lajme
LVV ende pa asnjë kandidat për kryetar të komunave: Sa ndikon kjo në rezultatin përfundimtar?
Demokracia
19:35 | 07 Korrik 2021

Share:

Më 17 tetor pritet që të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, ndërsa partitë politike kanë filluar me zyrtarizimin e kandidatëve për kryetarë komunash. LVV është ajo që ende nuk ka bërë propozimet e saj, me arsyetimin se janë duke mbajtur zgjedhjeve të brendshme lidhur me këtë çështje. Analistët, për Demokracia.com tregojnë se sa mund të ndikojë kjo në rezultatet përfundimtare.

Analisti politik, Rasim Alija për Demokracia.com thotë se kjo vonesë e Lëvizjes Vetëvendosje për zyrtarizimin e kandidatëve vjen për disa arsye.

‘’LVV është në përpjekje që të analizojë ambiciet e figurave të saj në nivelet e pikave të saj si struktura partiake. Pos kësaj, LVV po tenton edhe të gjejë edhe figurat e përshtatshme që do mund të ishin në gjendje që të paktën të siguronin balotazhet në shumicën e komunave. Këtyre vonesave në zyrtarizimin e kandidatëve u shtohet edhe marrëveshja me listën Vjosa dhe padyshim që këto mund të kenë dëme në rezultatit final, ende ka kohë që dëmi të minimizohet’’, tha Alija.

Pas kritikave të shumta për qeverisjen e 100 ditëshit të Qeverisë Kurti dhe akuzave për nepotizëm, analisti Alija për Demokracia.com thotë se fitorja e Kurtit komunat e vendit është e nevojshme.

‘’Edhe pse sjellja e votuesve në zgjedhjet lokale nuk lidhet direkt me qeverisjen qendrore, të paktën jo deri tash, dhe të paktën jo në rastin e Kosovës, për LVV, zgjedhjet lokale do jenë një lloj barometri. Një fitore e LVV në shumicën e komunave do ta forconte edhe më shumë si subjekt e si strukturë në terren. Do i shtonte argumente LVV-së, për ta ndërtuar e mirëmbajtur narracionin e tyre, që është dashur dhe duhen patjetër fitoret e LVV në të gjitha nivelet e pushteteve, për të ndodhur çlirimi e çkapja e shtetit’’, tha Alija.

Dhe për këtë fitore të LVV-së, Alija thotë se “shpëtimi” është lista Vjosa me figura lokale të kësaj liste që sipas tij, frymojnë LDK.

‘’Synimi kryesor i LVV do të jetë përpjekja për të siguruar garën në balotazh në secilën komunë. Si mbështetje për këtë synim, do jetë bashkëpunimin me listën Vjosa. Pra, do tentohet që aty ku gara e fitorja, pritet të jetë e vështirë për LVV, por jo e pamundshme, të përmbyllet si fitore me anë të balotazhit, duke shfrytëzuar listën Vjosa dhe figurat lokale të kësaj liste, që në fakt frymojnë LDK, por që kombinimi LVV-LV, po del ilaç për këtë lloj votuesi të LDK-së, që të transformohet në votues të LVV’’, tha Alija për Demokracia.com.

Sipas Aliajt, mbajtja e komunave nga subjektet opozitare dhe shtimi i tyre do të jetë përcaktues i fatit të tyre politik.

‘’Në rast se në zgjedhjet e tetorit, këto subjekte do humbasin e nuk do arrijnë t’i mbajnë komunat në të cilat qeverisin, do humbasin edhe votën në terren, sepse strukturat nuk do kenë më asnjë lloj pushteti për tu shpërblyer. Një element tjetër përcaktues për PDK, LDK e AAK do jetë bashkëpunimi i tyre në zgjedhjet lokale. Kjo nënkupton, koalicione, marrëveshje zyrtare e jo zyrtare, marrëveshje për përkrahje në fazen e balotazhit, për të sigurar mbajtjen e pushtetit në nivelin lokal’’, tha Alija për Demokracia.com

Se vonesa e zyrtarizimit të kandidaturave ka efekte negative e thotë edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për Demokracia.com, sepse kjo kohë, sipas tij nuk do të mjaftonte as për kandidatët për shpalosjen e programeve të tyre.

‘’Vonesa për zyrtarizimin e kandidatëve të komunave mund të sillte efekte negative jo vetëm për subjektin në fjalë por edhe për përgatitjet për zhvillimin e fushatës. Në anën tjetër nga aspekti strategjik subjektet mund të mos preferojnë ngutjen e shpalosjes së kandidatëve për të qenë në qendër të vëmendjes programi zgjedhor më shumë se aspekti personal. Prandaj në këtë drejtim vlerësoj se më e shëndetshme edhe për demokracinë do të ishte që ta dimë se cilët janë kandidatët e komunave sepse nga kjo ata nuk do të kenë kohën e mjaftueshme për të shpalosur programet e tyre’’, tha Cakolli për Demokracia.com

Cakolli tregon se a do të kenë ndikim zgjedhjet e brendshme dhe kryetarët e rinj të PDK-së e LDK-së, në rezultatet e 17 tetorit.

‘’Në rastin e LDK-së dhe PDK-së nuk besoj se do të kenë ndryshim të madh edhe pas ndryshimit të të parëve. Sipas hulumtimeve tona, kandidatët janë ata që do të vlerësohen në zgjedhjet lokale pra kryetari i një subjekti politikë, mund të jetë vlerë e shtuar por që nuk besojë që do të këtë ndikim negativ se si do të përfomojnë kandidatët’’, tha Cakolli për Demokracia.com

Megjithatë, analisti Shkodran Ramadani ka një mendim tjetër.

Ai për Demokracia.com thotë se vonesa e LVV-së për të zyrtarizuar kandidatët për kryetarë komunash mund të jetë e favorshme për këtë parti.

‘’LVV-ja duke u vonuar që t’i zyrtarizojë kandidatët për kryetar të komunave munden me qenë të favorizuar sepse kjo parti e ka strategji që mos me hy në zgjedhje përmes emrave të përveçshëm të kandidatëve por dëshiron të fitoj përmes mbështetjes së madhe të qyetarëve. Mendoj së qytetarët pritet të votojnë më shumë për liderin e partisë sesa për kandidatin për kryetar të komunave ashtu si edhe herave të tjera. Kështu që Kurti duke mos treguar emrin do të mundohet të përfitojë më shumë nga pushteti dhe reputacioni’’, tha Ramadani për Demokracia.com

Ramadani ka folur edhe për 100 ditëshin e Qeverisë, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

‘’Përformanca në veti nuk ka qenë aspak e mirë, por prapë do të qëndrojë mirë sepse ky reputacion nuk është ndërtuar për 100 ditë por për 10 vite promovim, politikë dhe pakënaqësisë në të kaluarën edhe pse disa nga praktikat e dështimeve të qeverive të kaluara po përsëritet edhe tash, kjo që do të reflektohet edhe në zgjedhjet lokale’’, vazhdoi Ramandani.

Sipas analistit Shkodran Ramadani, rënie në këto zgjedhje do të ketë edhe PDK e LDK, ndërsa një ndryshim mund të bëjë AAK.

‘’Nëse Lumiri nuk arrin t’i ruajë ato komuna që i ka nuk mund ta konsiderojmë si sukses. LDK ka pasur më së shumti vota në nivel të Kosovës dhe më së shumti asamblistë mirëpo ka humbur në balotazhe. Nuk besojë që do t’i mbajë këto komuna që i ka, disa edhe do t’i humb, pres rënie të LDK-së.’’

‘’Edhe PDK do të ketë rënie në këto zgjedhje. AAK do të ketë rënie mirëpo për shkak të komunave që qeverisë mundet të ketë sukses më të madh sesa LDK apo PDK për shkak të Suharekës që është e fortë, Junikut dhe Deçanit kështu që mund të përfundojnë me numër pothuajse të njëjtë me LDK dhe PDK-në edhe pse këto komunë nuk mund të kenë rëndësinë dhe madhësinë e njëjtë p.sh PDK-ja ka gjasa të mëdha ta marrë Ferizajin dhe Drenasin ndërsa në tjerat do të jetë më keq’’, tha Ramadani për Demokracia.com

Kujtojmë subjektet politike kanë afat që deri më 16 gusht të dorëzojnë për t’u certifikuar për zgjedhjet lokale.

Ndërsa, deri më 30 qershor vetëm dy parti politike nga radhët e komunitetit boshnjak kanë shprehur dëshirën për të garuar si koalicion, ndërsa partitë tjera do të garojnë të vetme në zgjedhje.

Sa i përket LVV-së dhe Listës Guxo, këto dy palë kanë konfirmuar se do të garojnë se bashku në zgjedhje./Demokracia.com/

Të ngjashme