Lajme
LVV e çoi Thaçin në Kushtetuese për shtyrjen e zgjedhjeve me rekomandimin e IKSHP-së, Sveçla konfirmon se mund të mbahen zgjedhjet
Demokracia
16:46 | 07 Dhjetor 2022

Share:

Shpërthimet e së martës në pjesën veriore të Kosovës, pasi punonjësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tentuan të hyjnë në objektet e KKZ-së, kanë krijuar pasiguri për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zevçan e Zubin Potok.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ende nuk ka marrë vendim nëse do të shtyhen apo jo zgjedhjet e 18 dhjetorit në komunat veriore, ashtu siç ajo e kishte caktuar në konsultim me partitë politike.

Vlerësimin për shtyrjen e zgjedhjeve duhet ta japin organet e sigurisë në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Nëse ato rekomandojnë që nuk mund të ofrojnë siguri për mbajtjen e zgjedhjeve, atëherë ky rekomandim i shkon KQZ-së, e cila kërkon shtyrjen e zgjedhjeve nga presidentja Osmani dhe caktimin e një date tjetër më të përshtatshme.

Ndonëse Policia e Kosovës nuk ka dalë më ndonjë rekomandim zyrtar për shtyrjen e zgjedhjeve, ministri Xhelal Sveçla që është në krye të punëve të brendshme të shtetit, nga Ura e Ibrit u ka thënë gazetarëve se institucionet janë të gatshme që t’i mbajnë zgjedhjet në veri.

“Absolutisht që po, absolutisht ne kemi kapacitete me i mbajt zgjedhjet”, ka thënë Sveçla.

Kjo deklaratë e Sveçlës ka hedhur poshtë paralajmërimet e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se për momentin nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.

Hovenier ka thënë se ky fakt është shqetësues për ta, teksa kërkoi nga palët të tregohen të vetëpërmbajtura.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për faktin se për momentin nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, shkroi Hovenier.

Lidhur me mundësinë e shtyrjes së mbajtjes së zgjedhjeve, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se kjo u takon institucioneve të Kosovës.

“Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja”, ka thënë Kupina.

Ai ka shtuar se Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, presidentja Osmani do t’i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin.

E nga Qeveria e Kosovës janë shprehur se po presin vlerësimin e situatës në veri për hapat e mëtejmë.

“Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Një rast i pezullimit të zgjedhjeve kishte ndodhur edhe gjatë kohës së pandemisë kur presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, duke u bazuar në rekomandimin e Institutit të Shëndetit Publik dhe kërkesën e KQZ-së, se për shkak të situatës epidemiologjike nuk mund të mbaheshin zgjedhjet, i kishte shtyrë ato.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila tani udhëheq me ekzekutivin e vendit, në atë kohë e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentit Hashim Thaçi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut, duke e kundërshtuar ashpër shtyrjen e tyre.

“Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Besianës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut”, thuhej në njoftimin e LVV, përcjell Demokracia.com.

LVV kishte thënë se justifikimet se zgjedhjet rrezikojnë shëndetin publik kanë rënë dje pas organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Dje u organizuan zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe me këtë rast ky justifikim ka rënë poshtë plotësisht. Sepse si mund të shpjegohet që zgjedhjet e Serbisë mund të organizohen kurse ato të vetë komunave të Kosovës jo. Cila është porosia? Që ne kemi më pak të drejta? Që minoriteti serb nuk është përgjegjësi e qeverisë tonë sa i takon shëndetit publik? Cilado qoftë arsyeja është skandaloze dhe e papranueshme”, thuhej në njoftimin e LVV-së.

Tutje ata kanë shtuar se askush nuk ka autorizim që t’iu pamundësojë qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesit të tyre, aq më pak presidenti.

“Askush nuk ka të drejtë e autorizime, e aq më pak Presidenti që arbitrarisht dhe jashtë kompetencave të tij të pamundësojë ushtrimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave përmes shtyrjes pa afat të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës”, thuhej tutje në komunikatën e LVV-së.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, pas përhapjes së pandemisë, COVID-19, edhe pas një kohe për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, pas emërimit të Goran Rakiqit si ministër në Qeverinë Hoti. /Demokracia.com/

Të ngjashme