Janë mbyllur dy prej tri ndeshjeve të sotme në Superligën e Kosovës në futboll.
Malisheva e ka mposhtur Drenicën si mysafire 2:3 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, raporton Demokracia.com.
Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku tha se skuadra e tij ishte më e mirë në fushë se kundërshtarët që arkëtuan pikët e plota, megjithatë sipas tij, Malisheva i dënoi nga gabimet e tyre.
“Në fillim të pjesës së dytë arritëm ta barazonim. E morëm kontrollin e ndeshjes, krijuam gjysmë raste. Në minutat e fundit tentuam me harkime nga krahët por nuk mjaftoi. Në përgjithësi kemi qenë më të mirë se Malisheva, që na ka dënuar nga gabimet tona. Ne nuk i shfrytëzuam rastet që i kishim dhe e humbëm ndeshjen. Ky është futbolli, kemi humbur këtë ndeshje dhe tani do të përgatitemi për ndeshjen e radhës. Po pësojmë gola të lehtë dhe këtë javë do të mundohemi ta përmirësojmë pjesën defansive”, deklaroi Lushtaku për Art Sport.
Malisheva dhe Drenica e ndajnë vendin e pestë së bashku me Prishtinën me nga 32 pikë. /Demokracia.com/