Zhvillimet politike në vend nuk kanë të sosur, veçanërisht ato që lidhen me veriun e vendit dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kosova tashmë është futur në ndëshkime nga Bashkimi Evropian dhe ndëshkimet po i shqyrton edhe partneri më i madh ndërkombëtar i vendit tonë të vogël, ShBA-ja.
Çka mendon Jehona Lushaku Sadriu, kryetare e forumit të gruas në LDK?
Në këtë intervistë për Nacionalen ajo si një njohëse e marrëdhënieve ndërkombëtare sqaron shumëçka në këtë kohë ‘pështjellimesh’ politike.
Nacionale: Znj. Lushaku-Sadriu, Kosova për herë të parë është nën masa ndëshkuese nga BE-ja. Cili është qëndrimi i LDK-së për këtë situatë?
Lushaku-Sadriu: LDK e ka shprehur shumë herë shqetësimin e vet për situatën politike në të cilën gjendet Kosova. Veprimet e pakoordinuara të Qeverisë Kurti në veri të Kosovës morën reagime ndërkombëtare negative dhe sollën masa ndëshkuese për vendin tonë. Ndonëse, natyrisht, përpjekja për të vënë rend dhe ligj është legjitime, kjo do të mund të bëhej në bashkërendim me strukturat e sigurisë ndërkombëtare që kanë mandat në Kosovë dhe të mos shkaktonte një përplasje të panevojshme me shtetet mike. Kosova si shtet po ndëshkohet për herë të parë në historinë e saj nga shtetet mike. Për herë të parë, po ashtu, Serbia po duket më mirë sesa Kosovë në sytë e aleatëve tanë dhe kjo është humbje e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Për fajin e Qeverisë Kurti, që është e padijshme dhe e papërgjegjshme, po e pëson Kosova. Kjo është evidente.
Nacionale: Tani LDK-ja ka nisur një rrugë të re, duke mbajtur takime konsultative me kategori të ndryshme të shoqërisë kosovare. Çka do të thotë kjo rrugë?
Lushaku-Sadriu: Është një iniciativë e nisur nga kryetari Abdixhiku për të krijuar një rrugë të re për Republikën e Kosovës, për shkak të politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historikë të saj dhe rrezikimit të sovranitetit dhe pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo iniciativë do të marrë formë pas një procesi deliberativ (kuvendues) mbipartiak me grupe të rëndësishme të shoqërisë, që besojnë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës, e që do të kontribuojnë në formësimin e kësaj iniciative. Takimi i parë me gazetarë ka dhënë një shtytje të fortë dhe nxitur një masë kritike që kërkon reflektim për veprimet e ardhshme. Do të vijojmë me takime me organizata të shoqërisë civile, me profesorë universitarë e ish-diplomatë; dhe biznese nga sektori privat në vend.
Nacionale: Cilat janë synimet që LDK-ja dëshiron të arrijë përmes kësaj rruge?
Lushaku- Sadriu: Përveq diskutimit të ideve për rrugëtimin e përbashkët euro-atlantik, synojmë të identifikojmë propozime konkrete për dalje nga kriza aktuale, nga gjendja e trazuar, madje me tensione potencialisht shpërthyese, dhe nga izolimi. LDK synon të dalë me propozim(e) për rrugë të re meqë do me çdo kusht ta ruajë shtetin e Kosovës dhe aleancat tona. Ne konsiderojmë që është nevojë urgjente që Kosova të veprojë në koordinim me miqtë ndërkombëtarë për shtensionim të situatës dhe veprime të përgjegjshme në raport me faktorin ndërkombëtar.
Nacionale: Disa zyrtarë të LDK-së kanë paralajmëruar mundësinë e bojkotimit të punës së Kuvendit. A mund të presim një gjë të tillë?
Lushaku- Sadriu: Të gjitha opcionet janë të mundshme nëse kjo qeveri nuk reflekton mbi dëmin që është duke ia shkaktuar vendit. Ne nuk mund të vazhdojmë të injorojmë të gjitha humbjet që po i shkaktohen vendit tonë me masa ndëshkuese dhe njëkohësisht injorimin kokëfortë e të pakuptim të këshillave ndërkombëtare. Kosova duhet të tregojë se është shtet i përgjegjshëm që zbaton obligime ndërkombëtare me qëllim që të prosperojë ndërkombëtarisht dhe të hyjë përnjëmend dhe pakthyeshëm në integrime evropiane e NATO. Të gjitha synimet tona strategjike për integrimet, për Kosovën pjesë të sistemit ndërkombëtar, po vihen në rrezik.
Nacionale: Bashkësia ndërkombëtare ka paralajmëruar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të përshkallëzohen. Cilat do të jenë veprimet e LDK-së nëse kjo ndodh?
Lushaku- Sadriu: Ne jemi në një fazë të vështirë regresi si në zhvillimin e brendshëm ashtu edhe raporteve ndërkombëtare. Përshkallëzimi i masave ndëshkuese do të jetë me efekte të menjëhershme për vendin dhe qytetarët duke e izoluar vendin, duke e privuar vendin nga rrjetet ndërkombëtare dhe e pamundësuar qasjen në fonde. Duhet të kujtojmë se BE dhe SHBA investojnë qindra milionë euro/dollarë çdo vit në sektorë të ndryshëm, përmes programeve të ndryshme për ndërtimin dhe demokratizimin e vendit. Nëse përshkallëzohen masat, do të përshkallëzohet edhe reagimi ynë dhe besojmë i qytetarëve ndaj Qeverisë, për fajin e së cilës po ndodh kjo.
Nacionale: A mund të presim që kjo parti të organizojë ose mbështesë protesta ndaj Qeverisë Kurti?
Lushaku-Sadriu: Ne do të përdorim të gjitha format e shprehjes së protestës sonë ndaj qëndrimeve të dëmshme dhe veprimeve të Qeverisë: në Kuvend, në publik dhe në rrugë nëse është e nevojshme.
Nacionale: AAK-ja po kërkon rrëzimin e Qeverisë me anë të mocionit të mosbesimit, kurse PDK-ja po kërkon marrëveshje për shpërbërjen e Kuvendit për të shkuar në zgjedhje të reja. A e përkrah LDK-ja ndonjërën prej këtyre ideve?
Lushaku- Sadriu: Është e rëndësishme që ta kuptojmë seriozisht pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe të reagojmë përgjegjshëm. Ne kemi thënë që dëshirojmë që Kosova të instalojë një cikël zgjedhor demokratik me zgjedhje të rregullta çdo katër vjet. Por, kur një parti me përkrahje të lartë elektorale, më saktë me pushtet të madh, nuk arrin të prodhojë as zhvillim të brendshëm dhe as arritje ndërkombëtare, normalisht që ajo nuk meriton të qeverisë. Por, për këtë partitë opozitare duhet të sigurojnë përkrahje edhe qytetare. Ne do të bëjmë gjithçka që ështe e mundur për të komunikuar me qytetarë dhe bashkërisht të ndërtojmë rrugën tonë përpara. Qeverinë Kurti nuk e lejojmë që të rrezikojë shtetin dhe aleancat tona historike.
Nacionale: Kryediplomatja Donika Gërvalla gjatë pjesmarrjës në Forumin e Dubrovnikut ka kritikuar BE-në, duke e quajtur tigër prej letre. Si e ke parë këtë deklaratë të saj?
Lushaku-Sadriu: Të bësh një deklaratë cinike e fyese ndaj BE-së, që asocon me deklaratën e Mao Zedong ndaj SHBA-së, është e dëmshme për Kosovën. Është papërgjegjësi totale, fakti se një ministre zgjedh të përdorë gjuhë jodiplomatike e fyese ndaj shteteve mike në konferenca ndërkombëtare. Por, duket qartë se kjo është e vërteta se cfarë vlera përfaqëson vet z. Gërvalla, të cilat nuk do të duhej kurrë t’i kishte një ministër i jashtëm i Kosovës. Reagimi i emisarit amerikan z. Eskobar i dha peshën e dëmit që kjo deklaratë do t’i kushtojë Kosovës. Mos të harrojmë se Bashkimi Evropian mbetet synimi i Kosovës i ankoruar në kushtetutë dhe kontribuesi më i madh i pasluftës. Shumica e shteteve të BE-së janë shtetet tona mike dhe raportet me to do të duhej të mirëmbaheshin me përgjegjësi e partneritet. Përkundrazi, kjo qeveri duket që ka zgjedhur që me gjuhë antievropiane e antiamerikane të përfaqësojë popullin më proevropian e proamerikan. Ky paradoks do të shënohet në histori.
Nacionale: Kjo nuk është hera e parë që Gërvalla bën deklarata të tilla. Sa mund ta demtojnë Kosovën qëndrimet e tilla?
Lushaku-Sadriu: Kosova është dëmtuar tanimë pikërisht nga deklaratat dhe gjithë diskursi populist i qeverisë Kurti, edhe konkretisht ministres Gërvalla, që si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës bëjnë lojë fjalësh për teatro politikë pa dashur të dëgjojnë për dëmin që e shkaktojnë. Shpesh herë qytetarët po ‘argëtohen’ në rrjete sociale me këto lojëra fjalësh, por në raportet ndërkombëtare kjo qasje po i kushton me izolim Kosovës. Përfundimisht, këto deklarata dëshmojnë papërgjegjësi politike me dëme historike dhe si të tilla janë të patolerueshme.