Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar ashpër ngërçin institucional që po pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ajo e ka cilësuar këtë situatë si të dëmshme për vendin dhe një humbje të rëndë për funksionimin demokratik të institucioneve.
Lushaku-Sadriu tha në Klan Kosova se vonesat në fillimin e punës parlamentare po i kushtojnë Kosovës në aspektin e efikasitetit dhe mundësive për progres.
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Kuvendi të Kosovës, por zhvillimet edhe mosarritja e konstituimit të Kuvendit edhe si procedurë është një ndjenjë e keqe. Kosova po humb, po humbasim kohë dhe po humbasim efikasitet, që do të mund të ishte shumë produktiv edhe për vendin tonë, edhe mosushtrimi i mandatit është një pjesë që vështirëson në këtë proces, shpresoj të zhbllokohet sa më shpejtë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.