Lajme
Lumir Abdixhiku: Rekomandimi i IKSHPK-së për të shtyrë zgjedhjet nuk u kërkua por u dha me porosi
Demokracia
18:08 | 11 Shtator 2021

Share:

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas rekomandimit të IKSHPK-së për presidenten Osmani për shtyrje të zgjedhjeve.

Në një postim në Facebook Abdixhiku ka shkruar se IKSHPK është shndërruar në instrument të pushtetit.

“IKSHPK u shndërrua sot në instrument të pushtetit – dhe me këtë humbi secilin kredibilitet. Skenari i paralajmëruar televiziv nga partia në pushtet, po ekzekutohet nga aktorë në shërbim të politikës instrumentalizuese”, ka shkruar ai.

Sipas tij rekomandimi i IKSHPK-së për të shtyrë zgjedhjet u dha me porosi

“Trupat e kapur – me vullnet apo presion pa dallim – në vend të shëndetësisë, kanë vendosur të merren me politikë. Rekomandimi nuk u kërkua por u dha me porosi. Ashtu siç e paralajmëroj ditë më parë pushteti, ashtu siç po i duhet sot pushtetit”, shkruan tutje Abdixhiku.

Ai ka shkruar se pandemia nuk mundet të ndikojë në shtyrjen e zgjedhjeve, pasi në Kosovë dhe shumë vende të tjera janë mbajtur zgjedhje në kohë pandemie.

“Dështimi katastrofal pandemik, nuk guxon të prekë demokracinë. E kemi të shenjtë. Prandaj dhe zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush. Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi.

Kosova ka mbajtur zgjedhje në pandemi. Vendet fqinje po mbajnë zgjedhje tani. Një ditë zgjedhje për demokracinë është e paalternativë. Fushata është shkurtuar; KQZ është e përgatitur; data e zgjedhjeve nuk mund të ndryshojë. Të kujdesemi për shëndet, të japim shembull, të organizojmë një proces fer – por proces me 17 tetor do të ketë. Frikën e pushtetit për dështimin masiv, s’mund ta shërojmë; por demokracinë, lirinë e votës suaj, do ta mbrojmë”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se zëdhënësi i LDK-së Arben Gashi konfirmoi për Demokracia.com se kjo parti do të jetë pjesë e takimit të thirrur nga presidentja të hënën, për të diskutuar për shtyrjen e zgjedhjeve. /Demokracia.com/

Të ngjashme