“Kështu që unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar mos po lëshoj pe unë”. Rreth nëntë muaj pas deklaratës virale të kryeministrit Albin Kurti, rreth lëshimit të perit ose jo nga kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ky i fundit tani thotë se ‘me të 20-tin nashta po ecim’…
Me vendosjen e kryetarëve të komunave të veriut nëpër zyre, bujë më të madhe do të bënte Lulzim Hetemi, kryetar i Leposaviqit. Ai do të qëndronte i ngujuar në zyrë, për muaj me radhë.
Disa javë më pas, kryeministri Albin Kurti, do ta tregonte një bisedë telefonike me të, ku veç tjerash, theksin do ta vendoste te ‘lëshimi i perit’.
“E thirra në telefon edhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin dhe ndodhi diçka interesante, se për të thënë të drejtën, kur e thirra, kisha një çikë brenge se mos është mërzitur aty se u bënë shumë javë. Por, unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar mos po lëshoj pe unë”, pati deklaruar kryeministri Albin Kurti.
Nëntë muaj pas kësaj deklarate dhe rreth një vit pasi mori postin e kryetarit të komunës, Lulzim Hetemi thotë se me ‘të 20-tin nashta po ecim’.
Këtë deklaratë, Hetemi e ka dhënë për televizionin ATV, kur mediumi e pyet se pse nuk e ka deklaruar pasurinë, në afatin kohor të parashikuar me ligj.
“O pasha nerën, zaher s’kanë ditë këto çikat. A ka mundësi qitash me deklaru? Veç për qata edhe referendum është me të 20-tin, ndoshta ecim se për kurgjo tjetër”, thotë Hetemi.