Lajme
Lulëzon nepotizmi: Vëllai i deputetit Dugolli dhe një asamblist i VV-së, punësohen në Ibër-Lepencin e Faruk Mujkës
Demokracia
16:35 | 22 Maj 2024

Share:

Ilir Dugolli, vëllai i deputetit të VV-së, Enver Dugolli, si dhe Ekrem Sadiku, asamblist i VV-së në Mitrovicë, tash e tutje do ta këshillojnë kryeshefin e ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka.

Të dy janë punësuar në një konkurs që është zhvilluar javëve të fundit në ndërmarrjen e cila duket se është kthyer në strehë për punësimin e zyrtarëve që publikisht i takojnë partisë në pushtet.

Nacionale gjithashtu para disa ditësh kishte raportuar me mesazhe në Kuvend se si ishte organizuar punësimi i asamblistit tjetër të VV-së, Veton Zogaj, po në ndërmarrjen Ibër-Lepenci.

Gazeta Nacionale ka siguruar vendimet me të cilat Ilir Dugolli dhe Ekrem Sadiku, janë përzgjedhur për pozitën e këshilltarëve të Kryeshefit të Ndërmarrjes Ibër-Lepenci.

Vendimet janë shpallur ditën e djeshme, dhe njoftimi ka ardhur nga Komisioni për Përzgjedhjen e këtij konkursi. Pra, Dugolli e Sadiku, janë rehatuar si staf civil në ndërmarrjen që udhëhiqet nga anëtari i VV-së e ish nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka.

Në vendimin për punësimin e vëllait të deputetit të pushtetit, thuhet se ai ka marrë 80 pikë nga i gjithë vlerësimi. Nacionale qysh javë më parë kishte mësuar se këto konkurse janë të përgatitura për personat e afërt me partinë në pushtet.

“Për punët dhe detyrat e punës, Këshilltarë i Kryeshefit Ekzekutiv, me shumicë votash nga paneli intervistues zgjidhet Ilir Dugolli. Kandidati sipas pikës 1 të këtij vendimi ka marrë gjithësej 80 poena nga totali i pikëve nga testi me shkrim dhe ai intervistues. Vendimi hyn në fuqi në ditën e pranimit nga palët”, thuhet në vendimin për punësimin e vëllait të deputetit të zëshëm të VV-së.

Ratësisht apo jo, me 80 pikë nga paneli është përzgjedhur edhe asamblisti i VV-së në Mitrovicë, Ekrem Sadiku. Nacionale ka mësuar se Sadiku është person i afërt me kryeshefin e Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, që dikur ishte nënkryetar i komunës së Mitrovicës.

“Për punët dhe detyrat e punës, Këshilltarë i Kryeshefit Ekzekutiv, me shumicë votash nga paneli intervistues zgjidhet kandidati Ekrem Sadiku. Kandidati sipas pikës 1 të këtij vendimi ka marrë gjithësej 80 poena nga totali i pikëve nga testi me shkrim dhe ai intervistues. Vendimi hyn në fuqi në ditën e pranimit nga palët”, thuhet në vendimin për punësimin e këtij asamblisti të VV-së në ndërmarrjen Ibër-Lepenc.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresën zyrtare në ndërmarrjen Ibër-Lepenci për këtë punësim, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli redaksia nuk ka pranuar përgjigje.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Enver Dugollin, deputetin e Vetëvendosjes. Ai në fillim e ka hapur telefonin dhe ka thënë se gjendet në akademinë për masakrën e Dubravës. Pavarësisht dakordimit që pyetjet të dërgohen në formë të shkruar, deputeti Dugolli nuk u përgjigj në interesimin e gazetës nëse ka pasur ndikim për punësimin e vëllait në këtë ndërmarrje publike.

Nacionale ka kontaktuar edhe me asamblistin e VV-së në Mitrovicë, Ekrem Sadikun. Ky i fundit ka konfirmuar për Nacionalen se ka aplikuar në disa pozita, megjithatë ka thënë se ende nuk e ka pranuar vendimin të cilin gazeta tashmë e ka siguruar.

“Jo ende nuk e kam këtë vendim, unë kam aplikuar në disa pozita dhe nuk e kam këtë vendim”, tha Sadiku për Nacionalen në fillim të prononcimit.

Ai e mohoi se ka pasur ndikim te kryeshefi Mujka për ta fituar këtë pozitë pune.

“Nëpër shumicën e institucioneve që kam aplikuar, do të mundet të kapet për individë secili dhe secila, mirëpo unë po iu them që ende nuk e kam marrë këtë njoftim. Jo, jo (nuk ka pas ndikim), absolutisht. Mundeni me pa CV-në time dhe përgatitjet e mia dhe e shihni profesionalizmin”, tha më tutje asamblisti që u reahtua në Ibër-Lepenc.

I pyetur për raportet e tij me kryeshefin e Ibër-Lepencit, ai e konfirmoi se kanë raporte personale, por sërish mohoi të ketë pasur ndikim për punësim.

“I nderuar ne jemi të Mitrovicës, unë jam asamblist në Mitrovicë, mirëpo po iu them që nuk është institucioni i vetëm që po pres me kriju marrëdhënie të punësimit nëse i kryj procedurat e rekrutimit. Është e drejtë e jemja, nuk mundem me qëndru gjithë asamblist, është e drejtë e jemja me kërku punë të tjera”, tha ai më tutje për Nacionalen.

Pas një verifikimi tejet të thjeshtë, Nacionale ka kuptuar se konkursi në fjalë ishte shpallur me një Udhëzim administrativ që tashmë është i shfuqizuar. Pra, ka edhe dilema të tjera ligjore për këtë konkurs ku u rekrutuan personat e afërt me partinë në pushtet.

Ibër-Lepenci, vatër e nepotizmit

Gazeta Nacionale ditë më parë publikoi disa mesazhe të cilat i kishte kapur në Kuvendin e Kosovës. Aty dëshmohej organizimi i një konkursi pikërisht në Ibër-Lepenc, për ta punësuar asamblistin e VV-së në Malishevë, Veton Zogaj.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës që u zhvillua më 4 prill, deputeti Gani Krasniqi mori një mesazh në rrjetin social “Whats App” nga kolegu i tij i partisë, Veton Zogaj. Megjithatë, diskutimi nuk ishte rreth partisë, por rreth konkursit të shpallur nga ndërmarrja Ibër-Lepenci.

Veton Zogaj përveç asamblist i VV-së, gjithashtu ka lidhje familjarë edhe me deputetin e VV-së, Adnan Rrustemi. Zogaj e ka për bashkëshorte, motrën e deputetit Rrustemi.

Zogaj i shkroi deputetit Krasniqit në mënyrë që i njëjti ta ndihmojë për punësim në këtë ndërmarrje. Kërkesa e tij ishte që Gani Krasniqi që gjithashtu vjen nga Malisheva, të intervenonte te Faruk Mujka.

“Mirëmbrëma baci Gani, shpresoj që nuk po të marr shumë kohë. Deshta të njoftoj që nesër kam plan të aplikoj në kompaninë Ibër-Lepenci në pozitën: Shef i shërbimit të burimeve njerëzore (numri i kryerësve – 1). Të gjitha kriteret për këtë pozitë i plotësoj, kryeshef i kësaj ndërmarrje është Faruk Mujka, nëse e sheh të arsyeshme të bisedosh me të që ta njoftoj lidhur me aplikimin tim. Shpresoj që nuk po të shqetësoj dhe mundoj me këtë”, thuhet në mesazhin që Veton Zogaj ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi, të cilin e ka siguruar Nacionale.

Pasi lexoi mesazhin, deputeti në fjalë i premton se do t’i ndihmojë asamblistit për t’u punësuar në Ibër-Lepenc.

“Veton, e kam parë që më keni shkruar mbrëmë, por pasi s’ishte për nguti nuk t’u përgjigja. Po, gjejë rast për të biseduar me zotëriun në fjalë, vetëm duhet shikuar mos po bisedon ky shoku tjetër, me nënkuptim se sulmohemi për nepozitëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Gani Krasniqit.

Biseda vazhdon për ta sinkronizuar planin që të ‘rehatohet’ asamblisti i Vetëvendosjes në Ibër-Lepenc.

“Nëse mund ta takosh atë do të ishte mirë e për deputetin që mund të flas e kam bisedu me Albanin që të flas meqenëse e ka shok”, ia ktheu Veton Zogaj përgjigjen deputetit.

“Dosido do e takoj atë, por edhe Albani është si shoku i tij për këto çështje. Jo rastësisht janë shokë”, përfundoi përgjigja e fundit e deputetit Gani Krasniqi.

Nga burimet e veta Nacionale ka siguruar të gjitha vlerësimet që janë bërë në këtë konkurs. Në testin me shkrim, Zogaj ishte i dyti me 72 pikë. Megjithatë, rezultati u përmbys në intervistat me gojë. Aty, asamblisti i VV-së mori mbi 88 pikë. Bindshëm më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë. Si rezultat, u punësua në Ibër-Lepenc.

Të ngjashme