Lajme
“Luftë te dera për brezin e ardhshëm” | Këto ishin deklaratat e fuqishme të Albin Kurtit kundër Zajednicës
Demokracia
09:36 | 01 Mars 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën i dha fund përfundimisht betejës së tij të gjatë kundër dialogut me Serbinë dhe kundër Zajednicës.

Ai u pajtua Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin sa ishte në opozitë e quante me emrin në versionin serbisht: Zajednica.

Për Albin Kurtin, rreziku nga Zajednica ishte madh për Republikën e Kosovës. Sipas tij, themelimi i saj në Kosovë do ta rrezikonte ekzistencën e Republikës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Në vazhdim këto janë disa nga deklaratat e fuqishme të Abin Kurtit kundër Zajednicës, të cilën tash është i gatshëm ta pranojë si kryeministër i Kosovës.

1. Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës. Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil. Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh Zajednicën dhe kjo po na ndodh tash. Kushdo që e argumenton pozitivisht Zajednicën është serbofil. Zajednica është Zajednicë e Serbisë për sebët sipas pikëpamjes së Serbisë, prandaj, edhe mbështetja e Zajednicës është serbofili.

2. Zajednica për Kosovën ëshë një kthim i Serbisë, i cili do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm. Meqenëse, kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë, fëmijët tanë luftën e kanë te dera. Me këtë rast, jo vetëm kryeministri, por i gjithë populli i Kosoëës, jo vetëm kryeministri, por gjithë Qeveria e Kuvendi i Republikës do të duhej të shqetësoheshin për të gjithë fëmijët e Kosovës, jo vetëm për familjet e tyre, sepse me Zajednicën te dera ne e kemi luftën te dera.

3. Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja. Nuk do të mund të hiqet. Gjakderdhja do të ndodhë, ta zëmë, në Novobërdë (Artanë) ku popullsia është 60% serbë e 40% shqiptarë. Shqiptarët kanë qenë shumicë, mirëpo Plani i Ahtisaarit, ia ka marrë një pjesë Gjilanit dhe një pjesë Dardanës apo Kamenicës dhe e ka trefishuar territorin e Artanës apo Novobërdës, në mënyrë që serbët të bëhen shumicë. Tash, çka të bëjnë ata 40% shqiptarë të Artanës? Ata i kanë dy mundësi kur të instalohet Zajednica, ose të shpërngulen, ose të ballafaqohen me pushtetin e Zajednicës. Unë mendoj që dikush edhe mund të shpërngulet, por jam i bindur se dikush edhe do të ballafaqohet.

4. Shqiptarët nuk do ta durojnë Zajednicën, sepse nuk do të mund ta durojnë. Shqiptarët nuk e kanë duruar Serbinë dhe nuk do ta durojnë as Zajednicën. Këtë e duron vetëm kjo qeveri, në krye me këtë kryeministrin aktual (Mustafa). Domëthënë, nuk ka shqiptarë që e duron Zajdenicën dhe shteti i Kosovës do të bëhet jofunksional.

5. Unë jam i bindur që Zajdenica ka vdekur. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë që secili nga 7 Kapitujt e Marrëveshjes Mustafa – Vuçiq, e shkelë Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 23 Nene. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka vrarë Zajednicën. Përfundimisht e ka mbytur Zajednicën.

6. Zajednica është e vdekur. Mirëpo, kjo Qeveri po orvatet ta ringjallë. Të provosh ta ringjallësh Zajednicën do të thotë të përfundosh në pozicionin e nacionalizmit serb. Sepse, pas këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, të insistosh edhe më tutje, të këmbëngulësh në Zajednicë, do të thotë të përfundosh në pozicionin e nacionalizmit serb. / Demokracia.com/

Të ngjashme