Lajme
Luftë meritash mes Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës
Demokracia
15:49 | 18 Nëntor 2023

Share:

Ka kohë që niveli qendror dhe ai lokal në Prishtinë janë në një “luftë” meritash për projektet që po punohen në kryeqytet.

Ishte ministri i Financave, Hekuran Murati, ai që gjatë javës përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kishte shkruar që për shkak të mbështetjes së Qeverisë, kryeqyteti këtë vit e ka buxhetin më të madh se vitin e kaluar.

“Për vitin 2021, në buxhetin e përgatitur nga Qeveria e udhëhequr nga LDK, e ku edhe Ministria e Financave udhëhiqej nga ta, buxheti për Komunën e Prishtinës ka qenë:87.6 milionë euro, ku nga to 58.5 milionë ishin mbështetje nga Qeveria, ndërsa 28.2 milionë euro ishin të hyrat vetjake. Për vitin 2024, me Qeverinë Kurti, buxheti për Komunën e Prishtinës është: 123.7 milionë euro, ku nga to 83.9 milionë euro janë mbështetje nga Qeveria, ndërsa 38.8 milionë euro janë të hyrat që vetë Komuna e Prishtinës pritet t’i mbledhë”.

Nëse bëjmë krahasimin për këtë periudhë e shohim se të hyrat vetjake Komuna ka arritur t’i rrisë për 10 milionë euro, ndërsa mbështetja nga Qeveria është rritur për mbi 25 milionë euro. Me fjalë të tjera, më shumë ka kontribuar Qeveria Kurti në rritjen e buxhetit të Komunës sesa vetë Komuna. Buxhetin e kanë si kurrë më parë. Por të punuar s’mund t’i detyrojmë. Punën duhet ta bëjnë vetë”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi i cili e ka quajtur Muratin si kampion të bllokadës.

“Kur flet Hekurani, flet Albini! E kur bëhen bashkë këta, flet bllokada. Prej kësaj qeverie ne kemi pasur vetëm bllokada. Duhet t’i vijë turp këtij adoleshenti kur flet për Prishtinën, e lëre më të flasë për përkrahje. Marrja nuk paska kufi e ky është kampion i bllokadës dhe së pavërtetës bashkë me shefin dhe këlyshët e tij”.

Lidhur me këto “kacafytje” virtuale, nga INPO kanë thënë që projektet nacionale duhet të kryhen nga nivelet qendrore, në mënyrë që të mos iu bëhen barrë Komunës.

“Ligji për kryeqytetin thekson që punët që janë të nivelit nacional, bien nën përgjegjësinë e nivelit qendror për të mos u bërë barrë për Komunën e Prishtinës në këtë rast. Projektet të cilat janë madhore, Komuna e Prishtinës e fajëson Ministrinë e Financave për bllokim apo mostransferim të fondeve, andaj ky moskoordinim është i theksuar edhe në “Raportin e Progresit”, i cili thotë se kemi një moskoordinim në grandin e performancës dhe se kryetarët e komunave që kanë edhe opozitën në kuvend nuk i ndajnë në mënyrë objektive fondet”, tha Valmir Ilazi nga Inpo.

E asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, thotë se Rama pasi që nuk ka projekte të tij, po tenton që meritat t’i marrë me projektet e Qeverisë.

“Kjo është një tendencë e vazhdueshme e kryetarit Rama, qysh në fillim të mandatit të tij. Tanimë është shtuar në intensitet dhe dinamikë. Ne jemi në gjysmë të mandatit qeverisës të kryetarit Rama dhe duke e parë dështimin e tij është në kërkim të fajtorëve për këtë dështim dhe kur nuk ka projekte të vetat që do të ishte krenuar. Pa shmangshëm do të duhej të ia merr meritat dikujt tjetër që në këtë rast janë projektet e qeverisë”.

Përveç kësaj gjatë javës ka vazhduar edhe polemika e kryetarit Rama me deputeten e LVV-së, për stadiumin “Fadil Vokrri”, në të cilin u zhvillua loja mes Kosovës dhe Izraelit, e ku stadiumi ishte i mbuluar me baltë pas reshjeve të shiut.

Deputetja Pacolli fillimisht e quajti “rrenc” Ramën.

Përmes një reagimi Komuna ka thënë që rinovimi nuk është në kompetencë të saj, por të FFK-së.

Përleshjet mes Ramës dhe Pacollit kanë filluar muaj më parë, kur Rama e akuzoi motrën e kësaj të fundit, e cila është gjyqtare, për ndërprerjen e punimeve në rrugën “Jim Xhema”.

Të ngjashme