Lajme
Lufta zgjat deri në 2022?| SHBA do të dërgojë në Ukrainë armët më të fuqishme
Demokracia
20:34 | 14 Prill 2022

Share:

Ka një ndryshim në strategjinë ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kjo kuptohet me njoftimin e fundit të bërë nga presidenti Joe Biden, i cili ka zyrtarizuar një dërgesë të re, të madhe, armësh në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit për t’u mbrojtur kundër ofensivës së në Lindje.

Por jo vetëm “mbetjet” e ish-perandorisë sovjetike të dërguara nga vendet fqinje evropiane, tani Pentagoni ka gati një listë të armëve të fuqishme, sepse Kievi duhet të përgatitet për një strategji të gjatë mbrojtëse: lufta, sipas ekspertëve amerikanë, do të zgjasë së paku gjatë gjithë vitit 2022.

Asnjë diplomaci nuk do ta ndalë Putinin – Mundësia e zgjidhjes diplomatike është po aq zero, sa ajo e një fituesi në fushën e betejës.

Për këtë janë të bindur ekspertët ushtarakë të Shtëpisë së Bardhë. Lufta midis Ukrainës dhe Rusisë do të jetë e gjatë dhe mund të zgjasë deri në fund të vitit.

Deri në verë, të dyja ushtritë do të jenë të rraskapitura dhe nuk do të ketë asnjë shans për të nisur ofensivën përfundimtare.

Pastaj do të ketë mungesë municionesh për t’u përballur. Prandaj, qëllimi është t’u jepet “kohë” ukrainasve: sa më shumë të kalojnë javë, aq më shumë Rusia do të shtypet nga sanksionet ekonomike dhe rrjedhimisht fuqia e Putinit mund të vihet në pikëpyetje nga frontet e brendshme.

Sigurisht që të gjitha janë hipoteza. Ajo që është zyrtare, është se Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë ndihmë ushtarake Zelenskijt.

Një paketë armësh prej 800 mln $ – Pentagoni ka mbledhur kompanitë më të rëndësishme amerikane të luftës në një takim të blinduar për të përgatitur një strategji afatgjatë mbrojtëse.

Paketa e re e armëve prej 800 milionë dollarësh, vjen pikërisht kur Biden ka vendosur të intensifikojë më tej retorikën kundër Rusisë, duke akuzuar Vladimir Putinin për gjenocid.

Ai do të përmbajë sisteme të përdorura tashmë “me efekte shkatërruese” nga forcat e Kievit, por edhe armë të reja më të përshtatshme për të zmbrapsur sulmin e ri të Rusisë në rajonin e Donbasit.

Artileri dhe helikopterë – Sipas burimeve në Kongresin Amerikan, në mesin e armëve të reja që do të dërgohen në Kiev, duhet të ketë edhe obusë, sisteme artilerie të rënda, të afta për të goditur një objektiv deri në 70 kilometra larg.

Ndihma e re prej 800 milionë dollarësh, me të cilën Biden foli me Zelenskijn në telefon, i shtohet 1.7 miliardë dollarëve të ofruara nga Shtetet e Bashkuara që kur Rusia nisi sulmin e saj më 24 shkurt dhe 2.4 miliardë dollarë që kur presidenti ndodhet në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe mjete mbrojtjeje nga armët kimike – Në paketën e re të armëve amerikane, ka edhe “pajisje mbrojtëse personale kundër armëve kimike”.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha në një konferencë për shtyp se dërgimi i mjeteve të mbrojtjes kundër armëve kimike bazohet, “në shqetësimet që kemi prej disa kohësh se Moska mund të përdorë armë kimike”.

Boshatiset arsenali amerikan nga armët? – Sasia marramendëse e armëve të dërguara nga Shtetet e Bashkuara në Ukrainë, mund të ketë varfëruar rezervat amerikane.

Sipas grupit të ekspertëve të Qendrës së Uashingtonit për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, SHBA-ja ka fshirë një të tretën e stoqeve të saj të modelit të raketave “Javelin” dhe një të katërtën e atyre “Stinger”, si dhe do të duhen tre deri në pesë vjet për t’i rimbushur ato.

Gjithashtu për këtë arsye, tetë kompani gjigante amerikane të armëve janë thirrur në Pentagon, duke përfshirë “Boeing”, “L3Harris”, “Lockheed Martin” dhe “Raytheon”, dy të fundit prodhues të “Javelin” dhe “Stinger”.

Të ngjashme