Sport
Lufta në Ukrainë bëhet përsëri pengesë për Chelsean, qeveria angleze i bllokon një transferim
Demokracia
19:33 | 01 Shtator 2022

Share:

Thomas Tuchel nuk do të jetë shumë i kënaqur me ngjarjet e fundit në radhët e klubit të Chelsea dhe me faktin se si lufta në Ukrainë vazhdon t’i shkaktojë londinezëve telashe të panumërta.

Sikur të mos mjaftonte ndryshimi i plotë i drejtuesve dhe personave që janë marrë me merkaton e bluve si pasojë e largimit të Roman Abramovich pas shpërthimit të luftës, tani ka qenë qeveria angleze ajo që ka ndaluar një transferim të planifikuar nga londinezët.

Klubi kishte kohë që ndiqte me interes mesfushorin 18-vjeçar të Dinamos së Moskës, Arsen Zakharjan, i cili ka spikatur me këtë klub dhe në radhët e përfaqësueses ruse. Çelsi ishte gati të paguante klauzolën prej rreth 15 milionë eurosh që ishte vendosur në kontratën e tij dhe të blinte lojtarin, por në këtë moment ka ndërhyrë qeveria angleze.

Kjo e fundit ka bërë të qartë se si pasojë e sanksioneve, të cilat parashikojnë edhe bllokimin e fondeve që shkojnë me destinacion Rusinë, Chelsea nuk mund të paguante dot për futbollistin. Konfirmimi i dështimit të marrëveshjes ka ardhur si nga Dinamo Moska, nëpërmjet një komunikate zyrtare, ashtu edhe nga përfaqësuesja e tij, braziliania Rafaela Pimenta e cila ka “trashëguar” talentin nga Mino Raiola i cili e përfaqësonte më përpara. Ajo bëri të ditur se transferimi për momentin ishte i pezulluar dhe po mendohej që negociatat të rifillonin në merkaton e janarit nëse ky ngërç do të ishte zgjidhur. /Demokracia.com

Të ngjashme