Popullsia e Gazës është “në rrezik të madh” paralajmëroi më 27 dhjetor kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke përmendur urinë akute dhe dëshpërimin e përhapur në mbarë territorin e shkatërruar nga lufta.
Përmes një deklarate, OBSH-ja tha se stafi i saj të martën ka raportuar se nevoja për ushqim “vazhdon të jetë akute” në mbarë Rripin e Gazës, ndërkaq “njerëzit e uritur sërish kanë ndaluar autokolonat sot me shpresën se do të gjenin ushqime”.
“Aftësia e OBSH-së për të dërguar furnizime shëndetësore, karburante për spitalet po vështirësohet gjithnjë e më shumë për shkak të urisë dhe dëshpërimit të njerëzve që shohim rrugës për në spitale dhe në spitalet që vizitojmë”.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu sulme vdekjeprurëse në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.
Izraeli u kundërpërgjigj me luftë shkatërruese në Gazë që deri më tani ka marrë jetën e më shumë se 20.000 palestinezëve./REL