OpEd
Lufta energjetike e Putinit po shkatërron Europën
Demokracia
11:21 | 22 Shtator 2022

Share:

Nga Christina Lu, Foreign Policy

Fabrikat, bizneset dhe familjet në të gjithë Europën po luftojnë për mbijetesë, pasi reduktimi i furnizimit me gaz natyror rus ka rritur çmimet, duke krijuar një stuhi brutale ekonomike që ka testuar solidaritetin europian për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ka nxitur frikën e një recesioni të afërt.

Çmimet jashtëzakonisht të larta të energjisë janë rritur deri në 10 herë niveli mesatar i tyre gjatë dekadës së fundit, duke çuar në kulme që kanë goditur industritë dhe kanë detyruar familjet të paguajnë fatura të larta.

Gjakderdhja që rezultoi ka nxitur liderët europianë në veprime urgjente, ndërsa ata nxitojnë të ndërmarrin masa gjithëpërfshirëse emergjente në një përpjekje për të ulur çmimet. Brukseli po flet për racionimin e gazit; qeveritë kombëtare po garojnë për të gjetur furnizime alternative tani që Rusia ka ndërprerë në thelb një të tretën e furnizimeve me gaz të kontinentit, raporton abcnews.al.

“Njerëzit do të përballen me fatura tronditëse të larta të energjisë elektrike. Bizneset e vogla po përballen me vështirësi për të paguar faturat.”

Fabrikat po shqyrtojnë nëse do të mbyllen ose jo të kufizojnë prodhimin, “tha Ben Cahill, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS). “Dhe kjo është para se të vijë dimri, kështu që situata mund të përkeqësohet.”

Nga industria e aluminit me energji intensive deri te prodhuesit e plehrave kompanitë në të gjithë Europën janë detyruar të ulin prodhimin apo edhe të falimentojnë përballë çmimeve mbresëlënëse.

Për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga dhimbjet më të mëdha, qeveritë kanë shpenzuar qindra miliarda dollarë në subvencione, shuma të mëdha parash që pasqyrojnë gjendjen e rëndë ekonomike të kontinentit dhe natyrën e paprecedentë të krizës.

“Këto janë kushte ekstreme të tregut dhe jo normale, “tha Alex Munton, një ekspert për tregjet globale të gazit në Rapidan Energy Group, një konsulencë, i cili e përshkroi situatën si një “luftë energjetike”.

Për dekada, Rusia siguroi një pjesë të madhe të gazit natyror të përballueshëm për Bashkimin Europian, por këto furnizime janë bërë një viktimë e përpjekjes së presidentit rus Vladimir Putin për të nënshtruar Kievin dhe vendet që e mbështesin atë.

Deri më tani, pavarësisht nga pakënaqësia, qeveritë europiane po ruajnë linjën.

“Në kohë lufte … kjo është lloji i gjërave që bëjnë qeveritë,” shtoi ai. “Ata do t’i shtrijnë financat e tyre deri në kufi për të kapërcyer konfliktin në të cilin janë.”

Merrni parasysh Komisionin Europian, i cili propozoi ndërhyrje të gjera emergjente që do të rishpërndanin afërsisht 140 miliardë dollarë në taksa për bizneset dhe familjet.

Mbretëria e Bashkuar ka zbuluar gjithashtu një paketë ndihme prej 46 miliardë dollarësh, ndërsa Suedia ka njoftuar më shumë se 20 miliardë dollarë garanci likuiditeti për kompanitë e saj të energjisë në vështirësi. Ndërsa kompanitë gjermane të energjisë po shkojnë drejt falimentimit , Gjermania thuhet se tani po shkon drejt shtetëzimit të tre gjigantëve të mëdhenj të gazit, duke përfshirë Uniper, në një ndërhyrje historike që do t’i ndihmonte t’i shpëtonte ata, raporton abcnews.al.

Humbjet ekonomike në rritje i kanë “gjunjëzuar financiarisht këto kompani”, tha Munton.

Zhgënjimi i popullit tashmë është rritur në Mbretërinë e Bashkuar, Moldavi ,Gjermani, Austri dhe Itali , ndërsa po shpërthejnë protestat për rritjen e çmimeve të energjisë dhe shqetësimet për trazira më të gjera.

Në Pragë, rreth 70,000 njerëz protestuan në fillim të shtatorit në një demonstratë ” Republika Çeke së pari ” kundër rritjes së çmimeve të energjisë, si dhe për të kërkuar veprim më të madh të qeverisë.

Ndërsa zemërimi kundër faturave të larta të energjisë rritet, solidariteti europian po venitet.

Kjo është diçka negative për Brukselin dhe për mbështetjen e vazhdueshme europiane të mbrojtjes së Ukrainës kundër pushtuesve rusë. Edhe pse liderët zotohen publikisht për mbështetje për Kievin, thirrjet e protestuesve për një neutralitet më të madh në vende si Republika Çeke mund të vendosin bazat për shkelje të unitetit në të ardhmen.

Hungaria, një anëtare e Bashkimit Europian, ka mbështetur Rusinë që nga dita e parë. Gjermania ka qenë e ngadaltë në marrjen e veprimeve. Biznesmenët italianë së fundmi organizuan një protestë kundër faturave të larta të energjisë, duke fajësuar Brukselin – jo Putinin për gjendjen e tyre.

Cahill, eksperti i CSIS, tha se kombet europiane mund të përballen me një provë të madhe të unitetit politik nëse paqëndrueshmëria vazhdon të rritet.

“Nëse çmimet vazhdojnë të jenë të larta dhe tregu po përballet me momente të vështira këtë dimër, atëherë stresi politik do të rritet,” tha ai.

“Mund të keni një situatë ku pakënaqësia e qytetarëve do të rritet dhe ata do të fillojnë të fajësojnë qeveritë për këtë, dhe ndoshta qeveritë do të fillojnë të ndjekin rrugën e tyre dhe të kujdesen për interesat e tyre. Ruajtja e këtij solidariteti në BE do të jetë e vështirë.”

Me afrimin e dimrit, vendet deri më tani kanë përmbushur objektivat e vendosura për objektet e tyre të magazinimit, megjithëse është e paqartë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të mbështetur kontinentin gjatë dimrit me ndalimin pothuajse të plotë të flukseve të gazit rus.

Pjesa më e madhe e perspektivës së energjisë dimërore të Europës tani do të varet nga kërkesa për energji; aftësitë e vendeve për të siguruar furnizime me gaz natyror të lëngshëm nga vende si Shtetet e Bashkuara, raporton abcnews.al.

“Nëse është një dimër i butë, do ta bëjë më të lehtë të jetosh pa gazin rus. Dimër i ftohtë, do të jetë një dimër i pakënaqësisë,” tha Helima Croft, drejtoreshë menaxhuese në RBC Capital Markets.

“Nuk do të jetë e lehtë në asnjërën nga rrethanat, por një dimër i ftohtë potencialisht është një situatë e fikjes së dritave.”

Përpjekjet e Europës për të mbrojtur konsumatorët dhe për të menaxhuar rritjen e çmimeve mund të çojnë në një vendim që do të ndihmonte seriozisht në zbutjen e kërkesës.

“Duke miratuar potencialisht masa që mund të adresojnë kostot shumë të larta për konsumatorin, një nga efektet e dukshme të kësaj do të jetë se redukton nxitjen për konsumatorët që të përdorin më pak,” tha Munton. “Nuk bën asgjë për të zbutur atë mospërputhje thelbësore midis ofertës dhe kërkesës.

Ekonomia ruse duket se është kursyer nga më e keqja e luftës energjetike deri më tani, e mbrojtur nga rritja e çmimeve të naftës dhe gazit dhe të ardhurat e saj nga eksporti i naftës.

Në planin afatgjatë, ndërsa Europa më në fund gjen furnizues alternativë dhe Rusia humbet tregun e saj kryesor të eksportit, balanca e fuqisë do të ndryshojë.

Rusia “po e largon veten nga tregjet europiane“, tha Antoine Halff, një ekspert energjetik në Qendrën e Universitetit të Kolumbisë për Politikat Globale të Energjisë dhe një ish-analist kryesor i naftës në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë.

Për një vend që merr më shumë se 40% të të ardhurave të tij të qeverisë nga shitja e energjisë, ndërprerja e tregut kryesor të eksportit të Rusisë është një hap drastik dhe, në këtë pikë, ndoshta i pakthyeshëm.

Me kalimin e kohës, kjo do të dobësojë aftësinë e Rusisë për të shkaktuar kërdi.

“Kur bëhet fjalë për tregjet e energjisë, muajt e ardhshëm janë mjaft të paparashikueshëm, pjesërisht sepse kjo nuk është një situatë e precedentë,” tha Halff. “Ky është një territor i paeksploruar.”

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024
OpEd • 20 Prill 2024