OpEd
Lufta e Rusisë në Ukrainë, është në fakt faza e fundit e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik
Demokracia
09:33 | 20 Gusht 2022

Share:

Shkruan: Hal Brands

Luftërat që shkaktohen nga njerëzit, mund të shkaktohen edhe nga procese të thella historike. Për shembull shikoni luftimet aktuale në Ukrainë. Ky konflikt është vepër e presidentit rus Vladimir Putin, një sundimtar i vendosur të rikthejë madhështinë e Rusisë nëpërmjet  shkatërrimit të Ukrainës së pavarur.

Por kjo luftë është gjithashtu pjesë e një historie më të madhe mbi atë që ndodh kur shpërbëhen perandoritë. Luftimet në Ukrainë, janë më të fundit dhe më e keqja e luftërave të zhvilluara mbi reliket e Bashkimit Sovjetik, një perandori ku grahmat e vdekjes po vazhdojnë edhe rreth 30 vjet pasi vetë BRSS pushoi së ekzistuari.

Mjerisht nuk do të jetë lufta e fundit. Shekulli XX-të pa rënien e perandorive të mëdha euroaziatike që dikur dominonin çështjet globale. Lufta e Parë Botërore shkatërroi perandorinë ruse, austro-hungareze, osmane dhe atë gjermane. Lufta e Dytë Botërore rrëzoi perandoritë e sunduara nga Tokio, Roma dhe sërish Berlini.

Më vonë procesi i dekolonizimit i dha fund perandorive britanike, franceze dhe portugeze. Dhe fundi i Luftës së Ftohtë e “vrau” Bashkimin Sovjetik, që në fillimisht do të humbiste vendet e tij satelitë në Evropën Lindore, dhe më pas u shpërbë në 15 shtete të pavarura.

Megjithatë, perandoritë nuk vdesin shpejt. Rënia e tyre, shkroi dikur historiani Serhii Plokhy, është “më shumë një proces sesa një ngjarje”. Kur një entitet i madh që dikur mbahej bashkë nga disiplina e hekurt e metropolit, nis të shpërbëhet mos prisni të krijohet brenda natës një status quo e re dhe të qëndrueshme.

Tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe Lindjen e Mesme, na kujtojnë se trashëgimitë e perandorive austro-hungareze dhe otomane janë ende duke u shfrytëzuar. Marrëdhënia midis Britanisë dhe ish-kolonive të saj vazhdon të evoluojë.

Për shkak se Bashkimi Sovjetik u qeveris në një mënyrë aq brutale, shpërbërja e tij ka qenë dukshëm më kaotike. Fundi i shtetit sovjetik i hoqi kufizimet që kishin shtypur tensionet etnike dhe rivalitetet kombëtare midis pjesëve përbërëse të perandorisë. Ajo solli lindjen e shteteve të reja, që ishin politikisht të paqëndrueshme.

Ajo nxiti një luftë të vazhdueshme midis vendit që kishte dominuar perandorinë, Rusisë, dhe shteteve dhe popujve që tani kërkonin t’i shpëtonin dominimit të Moskës. Rezultati ishte ajo që studiuesit i kanë quajtur “luftërat e trashëgimisë sovjetike”, një seri konfliktesh të përgjakshme mbi zonat e kontestuara nga Evropa Lindore në Azinë Qendrore.

Gjatë viteve 1990, këto luftëra tronditën Nagorno-Karabakun, Transnistrinë, Çeçeninë, Abkhazinë, Osetinë e Jugut dhe Taxhikistanin, duke i tërhequr shpeshherë edhe shtetet fqinje dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë. Disa nga këto konflikte kanë vluar që atëherë.

Të tjerat, si mosmarrëveshja mbi Nagorno-Karabakun midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, apo lufta midis Gjeorgjisë dhe provincave separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, të mbështetura nga Moska, rindizen në formën e konflikteve të mëdha ndërkombëtare.

Fundi i Bashkimit Sovjetik ishte një “tërmet” gjeopolitik, pasgoditjet e të cilit po e destabilizojnë edhe sot sistemin ndërkombëtar. Ukraina ka vuajtur nga tronditjet më të mëdha nga këto lëkundje: Lufta aktuale dallohet nga egërsia e luftimeve dhe tërësia e përpjekjeve të Putinit për të fshirë një vend tjetër nga harta e botës.

Origjina e tij më e menjëhershme mund të gjendet në natyrën gjithnjë e më totalitare të regjimit të Putinit, që e lejon atë të jetë më agresiv, teksa synon të gjejë armiq të jashtëm; si dhe tek pyetja nëse Kievi do t’i bashkohet Moskës apo Perëndimit në një aleancë.

Megjithatë, ajo është gjithashtu një pjesë në mozaikun e trazirave më të mëdha post-sovjetike. Shpallja e pavarësisë së Ukrainës në fundin e vitit 1991 ndihmoi në shkatërrimin e shtetit sovjetik dhe përshpejtimin e shpërbërjes perandorake që pasoi.

Prandaj, nuk është befasuese, dhe mjerisht simbolike, që Ukraina është në qendër të përpjekjeve të Putinit për të rikonsoliduar dominimin që kishte dikur Moska. Lufta nuk ka shkuar ashtu siç e kishte planifikuar Vladimir Putini.

Ukraina e ka mbrojtur veten në një mënyrë të admirueshme, dhe do t’i rezistojë gjatë përfshirjes me forcë në sferën ruse të ndikimit. Synimi i Putinit për ringjalljen e perandorisë ruse, ka nxitur formimin e nacionalizmit ukrainas.

Megjithatë, nëse Rusia ka paguar një kosto të lartë për fatkeqësinë e saj, kjo nuk do të thotë se kanë mbaruar luftërat e trashëgimisë sovjetike. Kurdoherë që të përfundojë konflikti Rusi-Ukrainë, vija ndarëse midis dy ushtrive mund të bëhet një kufi tjetër i kontestuar post-sovjetik, ku tensionet e shpeshta do të shkaktojnë një dhunë periodike.

Pavarësisht nëse Rusia fiton apo humbet në këtë luftë, rezultati do të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë brenda ish-Bashkimit Sovjetik, ndoshta duke shkaktuar ri-intensifikimin e mosmarrëveshjeve të vjetra me Moldavinë, Gjeorgjinë apo shtete të tjera.

Potenciali për shpërthimin e dhunës në vendet e Azisë Qendrore mbetet i lartë, siç u pa edhe nga një revoltë antiqeveritare në Kazakistan, e cila e përshpejtoi ndërhyrjen ruse në fillim të këtij viti. Një ndryshim i qeverisë apo një rebelim ushtarak në Bjellorusi – asnjëra prej të cilave nuk mund të përjashtohet për shkak të pakënaqësisë së madhe të publikut me regjimin autokratik të Aleksandr Lukashenkos – mund të shkaktojë fillimin e një lufte për pozicionimin e këtij vendi midis Rusisë dhe Perëndimit.

Në fillim të vitit 1992, një gazetë amerikane paralajmëroi se sapo kishin nisur të shfaqeshin problemet e shkaktuara nga “copëzat e perandorisë së fundit të madhe të botës ende të copëtuara dhe të armatosura me armë bërthamore”. Edhe kur lufta aktuale të ketë mbaruar, jeta e përtejme, e gjatë dhe e dhunshme e asaj perandorie do të vazhdojë ende. /Bloomberg/ Abcnews.al

Shënim: Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins, SHBA.

 

Të ngjashme
OpEd • 19 Prill 2024
OpEd • 18 Prill 2024