OpEd
Lufta e Rusisë në Ukrainë duhet ta ndryshojë BE-në
Demokracia
15:53 | 14 Maj 2022

Share:

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe”

Lufta në Ukrainë po e ndryshon Evropën, edhe nëse disa qeveri nuk duan që t’i shohin trazirat që po ndodhin brenda dhe jashtë bllokut. Por fakt është se po ndodhin disa ndryshime, të cilat po e sfidojnë funksionimin e BE-së.

Së pari është fundi i “procesit Mone”, që ka krijuar atë që është BE-ja e sotme. Me pak fjalë, ishte një metodë e bazuar në integrimin politik dhe demokratizimin e BE-së, e cila u mbështet në pajtimin midis Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Me kalimin e viteve, ky proces u bë shumë teknokratik dhe burokratik. Mosmarrëveshjet midis shteteve anëtare e lanë mënjanë mendimin strategjik dhe vendosmërinë që duhej të shfaqte unioni. Shkatërrimi i Ukrainës dhe përgjigja e Evropës ndaj agresionit të Rusisë, kërkon tani që liderët evropianë të zhvillojnë një mentalitet të ri.

Së dyti, ka mbaruar epoka e pafajësisë për Rusinë, të paktën për disa vende anëtare të BE-së. Duke lënë mënjanë paqartësinë e vazhdueshme të Gjermanisë përkundrejt Rusisë dhe mungesën e udhëheqjes nën kancelarin Olaf Sholc, ky ndryshim po e ndryshon qendrën e gravitetit të BE-së.

Deri vonë, ajo ishte bazuar në dyshen franko-gjermane. Sot pozita e kësaj të fundit nuk është më e sigurt. Në vend të saj, janë Franca dhe Polonia, ato që po zënë skenën qendrore në një Evropë ku vendet baltike dhe ato të Evropës Qendrore – me përjashtim të Hungarisë – po gjejnë vendin e tyre të rëndësishëm në bllok.

Pas rizgjedhjes së tij presidenti francez Emanuel Makron, gjendet në një pozitë të mirë për të marrë udhëheqjen e Bashkimit Evropian. Disa qeveri të Evropës Qendrore, mund ta shmangin këtë rol duke pasur parasysh vendosmërinë e Macron për të mbajtur një dialog të hapur me presidentin Vladimir Putin.

Por vetëm Parisi nuk mund ta ndryshojë gjithë BE-në. Së bashku me Varshavën, ai mund të formojnë një axhendë të re për Evropën. Polonia, së bashku me shtetet baltike, Sllovakinë dhe Republikën Çeke, mund të marrë një përgjegjësi të veçantë për rinovimin e marrëdhënieve të BE-së me Evropën Lindore.

Këto vende anëtare të BE-së, i kuptojnë shumë mirë vështirësitë e kalimit në një demokraci, por edhe kërcënimin rus. Për më tepër, duhet të shfrytëzuar ndjeshmërinë e tyre ndaj Evropës Lindore, sidomos pasi lufta në Ukrainë e ka bërë pothuajse të vjetëruar Partneritetin Lindor të BE-së.

Do të duhet një vullnet i jashtëzakonshëm politik dhe një imagjinatë strategjike, për ta integruar sa më shumë që të jetë e mundur Evropën Lindore në strukturat e BE-së. Bashkimi Evropian ka tashmë një marrëveshje për liberalizimin e tregtisë dhe vizave me Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

Por integrimi duhet të jetë më i thellë dhe më sistematik. Ndërsa këto vende kanë aplikuar kohët e fundit për t’u anëtarësuar në BE – dhe meqë disa shtete anëtare nuk janë aspak ngurruese për këtë ide (sidomos Gjermania) – mund të bëhet shumë më tepër, pavarësisht se çfarë do të ndodhë më vonë me aplikimet e tyre.

Për shembull, pse të mos u jepet këtyre vendeve një status i veçantë në Komitetin Politik dhe Siguri të BE-së (PCS), madje edhe të drejta të kufizuara të votës? Siç e ka treguar lufta e Rusisë në Ukrainë, këto vende kanë dëshpërimisht nevojë të pajisen me mjetet e sigurisë, të kenë trajnimin e duhur të forcave të tyre policore dhe pjesëmarrjen në misionet e BE-së për menaxhimin e krizave.

Por jo vetëm kaq. Afërsia e tyre gjeografike me Rusinë, përvojat e tyre historike dhe kompleksiteti i transformimit të shoqërive të tyre, do ta ndryshonin edhe natyrën e perceptimit të kërcënimit dhe nevojat e sigurisë brenda vetë BE-së.

Shkatërrimi i pamëshirshëm i qyteteve dhe qytezave të Ukrainës nga ana e ushtrisë ruse, ka ndihmuar në krijimin e një perceptimi të përbashkët të kërcënimit midis shumicës së qeverive evropiane. Pjesëmarrja e Evropës Lindore në PSC do ta zgjeronte këtë perceptim, transmeton CNA.

Tek e fundit, këto janë vende shumë të cenueshme ndaj ambicieve politike të Rusisë, sulmeve kibernetike dhe shantazheve energjetike. Ndaj Brukseli duhet të kuptojë natyrën e kërcënimit me të cilin përballet Evropa Lindore, sigurinë për të cilën ka nevojë ajo, dhe si paqëndrueshmëria në këtë rajon ndikon në stabilitetin e të gjithë bllokut.

Një çështje e tretë kyçe ka të bëjë me rolin e diasporës, së bashku me emigrimin e më të arsimuarve. Që të dyja po largojnë më të talentuarit jo vetëm nga vendet anëtare të BE-së, veçanërisht vendet baltike dhe Evropa Qendrore, por edhe në Evropën Lindore, për të mos përmendur ndikimin në demografi.

Për t’iu kundërvënë prirjeve të tilla, BE-ja mund të krijojë një model të ndikuar nga programi Erasmus, që u ka dhënë kaq shumë të rinjve në të gjithë Evropën mundësinë për të studiuar jashtë vendit. Pse të mos gjejmë mënyra për ta bindur diasporën të kthehet në shtëpi?

Kjo nuk është një detyrë e lehtë, duke pasur parasysh pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët në fqinjësinë lindore të BE-së. Por nëse këto vende duan të forcojnë sundimin e ligjit, të krijojnë një klasë të mesme, dhe institucione të forta demokratike, ata do të kenë nevojë për qytetarët e tyre, për të ndihmuar në ndërtimin e një shërbimi civil, ndërtimin e një sistemi shëndetësor, dhe ndërtimin e një shoqërie civile dinamike.

Po në lidhje me gjetjen e mënyrave nga Komisioni Evropian për të financuar kthimin e të rinjve, të motivuar dhe të mirë-arsimuar në vendet e tyre? Programi Erasmus në kahun e kundërt. Kjo listë dëshirash mund të shihet si jorealiste apo edhe e kundërshtuar nga disa shtete anëtare. Por kjo ka të bëjë me njohjen nga BE të faktit se lufta e Rusisë në Ukrainë kërkon një mentalitet të ri për të zëvendësuar një statuskuo anakronike. Pritja nuk është një opsion.

Të ngjashme
OpEd • 27 Mars 2024