Lajme
Lufta dhe çlirimi në sytë e dëshmitarit: Si ishte rrugëtimi i Kosovës për liri?
Demokracia
13:03 | 12 Qershor 2021

Share:

Kosova shënon 22-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.

Historiani dhe profesori universitar Sadik Mehmeti, tregon për Demokracia.com në mënyrë kronologjike rrugëtimin e Kosovës për liri.

“Copëtimi i trojeve shqiptare për gjatë shekujve, padrejtësitë e vazhdueshme, pretendimet e fqinjëve tanë për të gllabëruar tokat shqiptare, më pastaj mbetja dhe ndarja e një pjese të trojeve shqiptare nga trungu amë-Shqipëria, si dhe dhuna, torturat, dëbimet, burgosjet, vrasjet, luftërat etj.. më pastaj ndërrimet e shpeshta të sistemeve, secili më i keq së tjetri në raport me shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm, – sigurisht që kanë imponuar një organizim, kryengritje dhe rezistencë të shqiptarëve, jo vetëm për t’u mbrojtur nga këto dëme e luftëra, por edhe për të fituar të drejtën e tyre për liri e pavarësi që ua mohonin fqinjët e tyre. Në këtë drejtim, rrugëtimi  për liri e pavarësi të Kosovës është meritë e shumë brezave dhe gjeneratave që kanë sakrifikuar gjithçka nga vetja e tyre për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, e cila fillon që nga atëherë kur këto të drejta iu morën dhunshëm Kosovës dhe trojeve shqiptare në përgjithësi”, tha Mehmeti.

Ai më  tej tha se liria dhe pavarësia e Kosovës, nuk u arrit vetëm se pas sakrificës dhe luftës që tregoi populli shqiptarë e që kulmoi në vitet 1998-1999 kur Kosova u çlirua përfundimisht nga okupatori serb.

“Nga këtu e këndej fillon edhe një periudhë e re për Kosovën, institucionet dhe perspektivën e saj. Me një fjalë, liria dhe pavarësia e Kosovës është rezultat i një rrugëtimi të gjatë me plot mund, sakrificë e vetëmohim të bijve të saj, të cilët mbronin dhe kërkonin vetëm atë që u takonte atyre dhe atë që ua kishin marrë të tjerët me dhunë”, tregoi ai për Demokracia.com.

Lufta në Kosovë përfundoi me hyrjen e forcave të NATO-s, kështu Mehmeti përmendi disa nga arsyet që e shtynë NATO-n të ndërhyjë në Kosovë.

“Janë një mori faktorësh të cilët kanë ndikuar në sensibilizimin e faktori ndërkombëtar dhe lejimin për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, duke filluar që nga e drejta historike e popullit shqiptarë e deri, sidomos, pas masakrave djegies së shtëpive, maltretimeve, dhunës, spastrimit etnik dhe shpërnguljes së shqiptarëve me dhunë nga vatrat e veta, vrasjeve që ushtria dhe paramilitarët serbë ushtronin mbi popullatën e pafajshëme dhe të pambrojtur shqiptare në Kosovë. Karshi gjithë kësaj, faktori ndërkombëtar nuk mund të qëndronte indiferente, sidomos kur kishte parasysh edhe faktin se Beogradi kishte nisur e zhvilluar edhe tri luftëra të tjera në hapësirën e ish-Jugosllavisë, duke vrarë e dëbuar popullatën vendase. Prandaj kishte ardhur momenti që një politike dhe ushtrie të tillë vrastare t’i thuhet mjaftë, të ndalej e të dënohej, sepse ajo nuk merrte vesh ndryshe përveç se përmes argumentit të forcës”, tha Mehmeti.

Bombardimet e NATO-s kundër forcave serbe të cilat filluan me 24 mars dhe zgjatën 78 ditë, pas miratimit të rezolutë 1244, në Këshill të Sigurimit të OKB-së, përfunduan më 12 qershor, mirëpo qytetet e Kosovës Ditën e Çlirimit nuk e festojnë në të njëjtën datë.

Mehmeti tregon arsyet se pse qytetet e Kosovës shënojnë Ditën e Çlirimit në data të ndryshme.

“Pas Marrëveshjes së Kumanovës të arritur më 9 qershor 1999 në këtë qytet shqiptarë, forcat ushtarake e policore serbe ishin detyruar që të tërhiqeshin nga Kosova, kurse forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin filluar të hynin dalë nga dalë triumfalisht nëpër qytete. Natyrisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur në të njëjtën ditë nëpër të gjitha qytete e Kosovës dhe kjo është kuptueshme për shkak të rezistencës që akoma tregonin forcat ushtarake e paramilitare serbe në tërheqje e sipër. Më 12 qershor ndërkaq, nga bazat e tyre që ishin vendosur në Maqedoni kishin filluar depërtimin në Kosovë forcat tokësore të NATO-s, të quajtura forcat paqeruajtëse të KFOR-it, pastaj edhe administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare që nënkuptonte çlirimin e Kosovës. Si rrjedhim, themi se çdo qytet ka datën e tij të çlirimit dhe kjo është ne rregull, sikundër që edhe Kosova ka një datë të vetme të çlirimit të saj nga Serbia, data këto që duhet manifestuar e shënuar, qoftë veç e veç nga secili qytet e qoftë edhe Kosova si tërësi, sepse këto data tregojnë kapitullimin e Serbisë në Kosovë dhe çlirimin e Kosovës përfundimisht nga Serbia e cila për një shekull të tërë e kishte mbajtur dhunshëm nën sundimin e saj”, tha Mehmeti për Demokracia.com.

Mehmeti shton se më 9 qershor 1999 në Kumanovë u  bë nënshkrimi i asaj që do të njihet dhe do të hyj në histori si Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën iu dha fund bombardimeve të NATO-s në Jugosllavinë e atëhershme, duke shtuar se kjo marrëveshje i dha fund luftës në Kosovë.

“Forcat ushtarake dhe policore serbe, sipas kësaj Marrëveshje, u detyruan që të tërhiqeshin nga Kosova për t’ia lënë vendin forcave ndërkombëtare të paqes. Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATOS dhe RFJ-së, e nënshkrua më 9 qershor hyri në fuqi më 11 qershor 1999Atë e nënshkruan Michahel Xhekson komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Arnmatës së Serbisë , gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuar i për krime lufte dhe gjenocid.  Kjo Marrëveshje  ajo përfshinte disa kushte dhe pika të caktuara. Sidoqoftë, Marrëveshja e Kumanovës sigurisht që do të trajtohet në histori si një nga marrëveshjet e cila i dha fund dhe ndali gjakderdhjen e gjenocidin të cilin Serbia kishte filluar që herët ndaj popujve jo serbë, e në veçanti ndaj shqiptarëve”, tha ai.

Ish-komandanti i mbrojtjes civile për dy lagje në fshatin Barilevë të Prishtinës, Abdurrahman Vervovci, rrëfen për Demokracia.com përjetimet e tij gjatë luftës në Kosovë deri te Dita e Çlirimit më 12 qershor 1999, me hyrjen e trupave të NATO-s.

Ai thotë se lufta e vitit 1998-1999 mori përmasa shumë të mëdha ndaj qytetarëve të pafajshëm, ndaj civilëve, ndaj pleqve, ndaj grave dhe ndaj fëmije.

“Jam dëshmitar organik prej ditëve të para deri me çlirimin e Kosovës më 12 qershor 1999 me hyrjen e KFOR-it.  Gjatë luftës kam qenë komandant i mbrojtjes civile në fshatin Barilevë veçanërisht për lagjen e Verbovce dhe Bestovce. Dhe pikërisht e kam pas përgjegjësin në hapësirën gjeo-strategjike më të ndjeshme duke filluar nga kufiri me Serbinë deri në Prishtinë. Dhe fshati Barilevë ka qenë i vetmi korridor i kalimit nga ana lindore në anën perëndimore. Pra është bërë preja e rrugës Prishtinë-Podujevë, qoftë nga civilët, qoftë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Verbovci.

Në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, ai tregon se kishte qenë në shtëpinë e tij dhe e kujton këtë ditë, siç thotë ai, “si dita më e shenjë e historisë së shqiptarëve”.

“Me 24 mars kam qenë në shtëpi, isha me shoqen duke i mbajt disa gjësende me vlerë, se e dija që do të hasim në bombardime. Dhe bombardimi i parë kur ka ndodh kam qenë në mes shtëpisë time dhe të vëllait, i gjithë qielli është ndriçu, për një moment mbeta i shtangur nuk e dita se çfarë është duke ndodhë dhe jemi strehu në bodrumet e shtëpive. Nuk ka vonu shumë një fshatar erdhi dhe na tregoi se veçse kanë filluar bombardimet e para, e mërkurë 24 mars. Ajo është dita më e shenjë e historisë tonë, për mua dhe për gjithë shqiptarët”, kështu tregon Verbovci për Demokracia.com.

Verbovci e vazhdon rrëfimin e tij, duke treguar edhe momentin kur forcat serbe i kishin zënë rob rreth 56 banorë që ishin duke qëndruar në shtëpinë e tij, dhe po ashtu tregon edhe momentin kur babai i tij ishte plagosur me shtatë plumba nga forcat serbe.

“Prej 24 mars deri më 12 prill kemi qenë në fshat, dhe kemi pasur edhe shumë banorë nga fshatrat e ndryshme që kanë qëndruar në shtëpinë tonë. Më 12 prill kanë hy forcat paramilitare serbe nga ana e perëndimit, që ne gjithmonë e kemi pas mendjen që nga ajo anë të evakuohemi në rast sulmi apo rreziku, por pikërisht nga ajo anë kanë hy, dhe në oborrin e shtëpisë time janë zë rob diku rreth 56 banorë që kanë qenë të vendosu këtu, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë. Këtu ka qenë duke qëndruar baba im shkaku i fëmijëve dhe i grave dhe takimin e parë që e kanë pas me babën forcat serbe, e kanë pyet se “a ka këtu UÇK?”, dhe baba iu është përgjigj “Jo, dhe në atë moment ata sikur e kanë ndje vetën të lirë dhe kanë kërkuar ujë. Mandej i kanë vendosur të gjithë anëtarët e familjes dhe të gjithë ata që ishin në vendosur në shtëpi në kuzhinë. Më pas kanë gjuajtur me mitraloz dhe një pjesë e madhe e këndeve të dritares është shkëputur nga muri. Një pjesë e forcave serbe vazhdojnë më tutje në fshat dhe hasin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë filluar gjuajtjet nga të gjitha anët. Një nga ushtarët serb më pas iu drejtohet babës dhe i thotë eja këtu, e ka largu nga masa në oborr e ka vendos topin në mitraloz në një distancë të afërt dhe i ka dhënë zjarr mitralozit, shtatë plumba i kanë kaluar nga e njëjta vrimë, se tyta e pushkës e ka hasë në top, fati është plagos rëndë, por baba është shpëtu”, rrëfen ai.

Nga forcat serbe atë ditë mbetën të vrarë Nexhmi Kaqiu nga fshati Lupç dhe Bedri Kurti fshati Barilevë. Kështu ata u detyruan të largohen.

“Atëherë jemi detyruar të largohemi nga këtu dhe jemi vendosur në fshatin Pirevë. Aty kemi qëndruar nga 12 prilli deri ë 23 prill, dhe për shkak të shëndeti të djalit jam detyruar që të nisem drejt Prishtinës. Kam shkuar në Breg të Diellit në Prishtinë dhe e gjeta një mjek të intervenoi te djali, mirëpo mbetem peng aty, deri më 12 qershor kur ka hy KFOR-i”, tregon më tej Verbovci.

Në Ditën e Çlirimit, ai tregon se si janë pritur ushtarët e KFOR-it në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, dhe rrëfen një ngjarje që siç thotë nuk do të harron kurrë.

“Më 12 qershor kam qenë dëshmitar i një momenti që për mua është historik, të gjithë qytetarët me brohoritje “NATO, NATO”, djali im i dytë Labinoti as 7 vite nuk i ka pas nga gëzimi aq u ngritë lart, sa për një moment thosha po e prej tarracën e katit tjetër me kokë. Por ajo që më ka fascinuar më së shumti, që e kam kujtim dhe nuk e harroj, ishte pritja e ngrohtë e qytetarëve sa që nuk ka pas ushtar të KFOR-it që nuk është prit me lule, ka i merrnin nuk e di. Një moment tjetër që e kam në kujtesë deri sa isha afër shkollës “Ismail Qemaili”, në Breg të Diellit, e pashë një çift bashkëshortor rreth 60 vjeçar e kishin mbush krahun me lule dhe po i vendosin secilit ushtar të KFOR-it, aty ka qenë njësia ushtarake angleze. Dhe për një moment një serb është ndie i shumë revoltuar dhe ka shku me i sulmu atë çiftin, por reagimi i ushtarit të KFOR-it ishte aq i shpejtë dhe sa hap e mbyllë sytë e shtriu për tokë, serbin, dhe për gjysmë ore nuk e ka lënë as të lëvizë, madje e ka liruar. Nga ajo ditë e di që populli frymon lirshëm dhe e gëzon lirinë, çka jemi edhe sot falënderues për jetë e mot të gjithë miqve, por në radhë të parë UÇK-së”, përfundon rrëfimin Verbovci.

Kujtojmë se pas fushatës ajrore prej 78 ditësh, para 22 vitesh, trupat e NATO-s zbarkuan në Kosovë. Ndërhyrja u pasua edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë. Me Kushtetutë, kjo ditë njihet si Dita e Paqes apo Dita e Çlirimit të Kosovës.

Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka riafirmuar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, derisa ky mekanizëm nuk vendos ndryshe./Demokracia.com/

Të ngjashme