Lajme
LSI ndryshon emrin në Partia e Lirisë
Demokracia
21:00 | 25 Korrik 2022

Share:

Lëvizja Socialiste për Integrim nga sot do të quhet Partia e Lirisë. Emri është ndryshuar në Konventën Kombëtare të partisë. Ka qenë ish-presidenti Ilir Meta ai që ka bërë publik emrin e partisë që themeloi në vitin 2004 . “Ju ftoj nga partia e LSI-së në partinë e Lirisë, Sovranitetit dhe Referendumit”, tha Meta.

Me ndryshimin e emrit ka ndryshuar dhe drejtuesi i partisë. Monika Kryemadhi ka dhënë dorëheqjen duke ia kaluar drejtimin e partisë përkohësisht Ilir Metës.

Komiteti Organizator, ngarkohet nga Konventa Kombëtare, për drejtimin e partisë dhe përfaqësimit të saj në të gjitha nivelet. Komiteti Organizator do të drejtojë veprimtarinë e partisë për përgatitjen e Konventës Kombëtare, që do të mbahet brenda dy muajve. Drejtuesi i Komitetit Organizator të jetë Ilir Meta dhe zëvendës Kryetar të jetë Agim Nesho.

Gjatë fjalës së tij në Konventë Meta tha se në këto 5 vite që ai ishte Presidenti ndodhi një grusht shteti, pa tanke por me procedura dhe me ekspertizë, edhe me të huaj. Meta paraditen e sotme dha një sinjal se do të ndryshonte emrin e partisë dhe tha se nuk është rikthyer për të rimarrë drejtimin e LSI por se “‘Partia e Referendumit’ na pret”.

I pari që ka hapur konventën ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Endrit Braimllari. Ai u shpreh se për 17 vite, LSI u bë shtëpia e mijëra burrave dhe grave, e mijëra të rinjve dhe të rejave që besuan në projektin integrues.

“Konventa Kombëtare që mbahet sot, ngjan për nga momenti kritik, me mbledhjen e parë të themelimit të saj, në vitin 2004. Për fat të keq, situata është rënduar më shumë se kurrë, ku demokracia shqiptare është sërish në rrezik të madh. Por sot, pas 18 vitesh kontribut në arenën politike të vendit, LSI e konsideron të përmbushur misionin e saj fillestar të krijimit. Ndaj, koha na kërkon një dimension thellësisht të ri, shumë më të gjerë, e gjithëpërfshirës dhe një përgjegjshmëri maksimale pasi, fatet e vendit janë më të rrezikuara se kurrë”, tha ai.

 

 

Të ngjashme