Lajme
Lojërat shpërblyese jashtë kontrollit të shtetit, ATK s’ka asnjë kompetencë
Demokracia
08:49 | 25 Qershor 2022

Share:

Organizimet e lojërave të ndryshme shpërblyese në Kosovë nga bizneset private nuk janë duke u mbikëqyrur nga asnjë institucion shtetëror. Nuk ka asnjë bazë apo dispozitë ligjore në fuqi, që e rregullon funksionimin e tyre. Tash për tash as ATK-ja s’ka asnjë kompetencë mbi to.

Pothuajse çdo ditë shohim organizime të lojërave nga bizneset private, të cilat ofrojnë për konsumatorët e tyre vetura, banesa, para kesh e pushime luksoze.

Mirëpo, në asnjërin rast nuk dihet nëse të njëjtit i marrin me të vërtetë këto shpërblime nga organizatorët e lojërave të tilla, shkruan Demokracia.com.

Edhe përkundër këtij fakti, në Kosovë aktualisht lojëra të fatit organizojnë kompanitë e derivateve, dyqane të mëdha tregtare, markete dhe biznese të ndryshme që vendosnin “kuponë fati”, nëpër kafe dhe pije.

Por, bizneset që organizojnë këto lojëra nuk i kontrollon askush.

Në Administratën Tatimore të  Kosovës kanë treguar se tani nuk kanë asnjë përgjegjësi për dhënien e miratimit për ato biznese që organizojnë lojëra shpërblyese.

“Dhënia e miratimit për organizimin e lojërave shpërblyese ka qenë në kompetencë të ATK-së, e cila ka qenë e rregulluar me një dispozitë ligjore brenda Ligjit 04/L -080 për Lojërat e Fatit, mirëpo pas shfuqizimit të këtij ligji, ATK më nuk ka përgjegjësi në dhënien e miratimit për ato biznese që organizojnë lojëra shpërblyese, pasi që Ligji 06/L-155 i Lojërave të Fatit ka shfuqizuar ligjin e mëhershëm (Ligjit 04/L -080 për Lojërat e Fatit) nuk i ka dhënë asnjë përgjegjësi ATK-së në pjesën për të cilën keni ngritur shqetësimin tuaj”, ka treguar Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së, për Demokracia.com.

Në Administratën Tatimore të Kosovës kanë treguar se deri më tani nuk dihet se kush duhet të japë leje apo pëlqim për organizmin e lojërave të fatit.

Lojërat e fatit janë ilegale pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Ndalimin e Lojërave të Fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të këtyre lojërave për 10 vjetët e ardhshme.

Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës më 28 mars të këtij viti.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës u vranë dy persona. /Demokracia.com/

Të ngjashme