Lajme
“Lojërat mesdhetare në Prishtinë” | Gëzimi i shtirur i Albin Kurtit, njeriut që bënte fushata kundër shtetit të Kosovës
Demokracia
10:06 | 09 Shtator 2023

Share:

“Ia dolëm! Faleminderit shumë. Ky është një lajm i madh për Kosovën dhe një arritje e jashtëzakonshme për të gjithë ne”, tha dje Kurti në fillim të fjalimit të tij, kur vendi ynë me shumicë votash fitoi të drejtën për të organizuar Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. 

“Le të fillojnë përgatitjet dhe unë ju garantoj se këto lojëra do të jenë një dëshmi e ndritur e madhështisë së Kosovës dhe rajonit të Mesdheut”, vazhdoi tutje kryeministri, shkruan Demokracia.com.

Por, pas këtij gëzimi, për shumë prej jush mund të dëgjohej fushata e paharruar dhe e rëndë e tij kundër gjithçkaje që mbante logon e shtetit të Kosovës.

Është e paharruar pamja kur lideri opozitar, Albin Kurti, kishte dalë nga arratia për të mbajtur fjalim në manifestimin e opozitës dhe kishte zgjedhur festën e flamurit kombëtar shqiptar, 28 Nëntorin e vitit 2015, për të sulmuar rëndë simbolin e shtetit të Kosovës – flamurin.

“Kurrsesi nuk mund të ecim përpara me atë flamurin lara-lara… me atë flamurin lara-lara, që e kanë nxjerrë nga strajca këta tregtarë flamujsh që e uzurpuan pushtetin, që e uzurpuan shtetin, për t’u pasuruar vetë e për ta ndihmuar Serbinë”, bërtiste Kurti në sheshin “Zahir Pajaziti” në qendër të Prishtinës.

Shiko videon:

Kjo fjali e Kurtit është një përmbledhje e qasjes së tij ndaj shtetit të ri të Kosovës, që pas tre muajsh do të festonte 8 vjetorin e shtetësisë. Për Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, Kosova nuk do të mund të ecte e vetme përpara, prandaj duhej bashkimi kombëtar me Shqipërinë, që do të garantonte suksesin edhe në sport.

Kjo qasje e Kurtit ishte një pengesë e madhe e vendosur nga ai për aktivistët dhe zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, sikur lideri i tyre ndiqnin rrugën për të mos parë ndeshjet sportive që zhvilloheshin nga përfaqësueset e Kosovës, jo vetëm në futboll. Por, sikur të mos mjaftonte me kaq, kjo shoqërohej edhe me fushata të ashpëra në rrjete sociale.

Për vite më radhë zgjaten ato, deri më 14 nëntor 2019 kur Albin Kurti shkoi për herë të parë në stadiumin e Prishtinës për ta përkrahur Kosovën në futboll.

Më shumë sesa një zhvillim pozitiv, kjo datë shënon turpërimin e Kurtit, i cili për shumë vite zhvilloi fushata kundër shtetit të Kosovës dhe që pas disa muajsh ai do të bëhej kryeministër për herë të parë, shkruan Demokracia.com.

Prezenca e Kurtit në stadium për të mbështetur përfaqësuesen e Kosovës në futboll vinte gati tri vite pasi Kosova ishte pranuar në UEFA, 3 maj 2016, dhe në FIFA, 13 maj 2016.

Sot që Kurti është bërë kryeministër, mbështetja e tij për sportin e Kosovës nuk ngjallë emocione. Ajo duket tepër e shtirur dhe që vjen vetëm si përmbushje e detyrës zyrtare.

I tillë dukej edhe në fjalimin e tij pasi Kosova fitoi të drejtën për të organizuar Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Prandaj, kryeministrit Kurti duhet t’i rikujtohet se ai nuk ia ka dalë dhe është një kundërshtar i mundur. Kosova, me flamurin e saj lara-lara dhe sportistët e saj ia dolën. /Demokracia.com/

Të ngjashme