Mësuesit nga paga bazë tani 616 euro, me rritjen e premtuar do të kenë pagë 726 euro.
Por, për mësimdhënësit kjo rritje nuk është e mjaftueshme.
Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Rrahman Jasharaj, thotë se është pritur tjetër rritje.
“Deklarata e kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati për rritje të pagave nga SBASHK është pritur me pakënaqësi shumë të mëdha sepse mësimdhënësit, policët e të tjerët kanë pritur një rritje krejt tjetër. Ne bile me 3 shtator i kemi dërguar letër kryeministrit që vlera e koeficientit të rritet për të paktën 30 për qind duke argumentuar se pagat aktuale e kanë humbur vlerën blerëse për shkak të ngritjes së çmimeve”, ka thënë ai.
Për SBASHK-un zhgënjimi është tejet i madh nga ky premtim, derisa Jasharaj gjithë këtë e sheh si lojë e mashtrim të Kurtit e Muratit.
“Zhgënjimi është tepër i madh edhe me vet vlerën që është proklamuar në janar 55 dhe nga ekspertët tanë është parë se tërë kjo është një lojë, ngase Murati dhe Kurti kanë të drejtë të bëjnë si qeveri lëvizje në vlerën e koeficientit por nuk e kanë të drejtën që të bëjnë lëvizje në vet koeficientin. I vetmi organ që mund t’i bëjë ato është Parlamenti i Kosovës. Pra, është bërë lojë e dyfishtë, njëherë për t’i zhgënjyer totalisht të punësuarit, nën 2, për t’i mbajtur me shpresë për janarin dhe nën 3, për të mos e bërë hiç, sepse Kuvendi duhet të votojë a duhet të jetë koeficienti 5.2 apo 5.6, apo t’i shtohet kjo 0.5 dhe ironia është edhe më e madhe është disa zyrtarë në MASHT dolën me tabelarë duke i marrë dhe ato shifrat për në korrik se si do të jenë pagat, derisa dihet që në shkurt janë zgjedhjet dhe nuk dihet se si do të jetë përbërja e Qeverisë dhe krejt këto ne i kemi vlerësuar si mashtrim”, ka vlerësuar Jasharaj.
Ndërkaq, nga SBASHK premtimi për rritje të pagave shihet si premtim elektoral.
“Ne e vlerësojmë si përpjekje për mashtrim ngase kjo nuk bëhet dot, por edhe po të ishte një vlerë e pranueshme, një vlerë më e lartë, ne nuk do ta pranonim sepse do të dinim se është vështirë e realizueshme ngase duhen kompetencat dhe ata po të donin do ta bënin në shtator kur kemi bërë kërkesën dhe u kemi thënë që nëse jo në shtator, të fillojë në tetor sepse më vonë çdo gjë që bëhet është si pjesë e fushatës”, u shpreh i pari i kësaj sindikate për Gazeta Blic.
Jasharaj për Expose ka treguar dhe si do të veprojnë, derisa nuk e ka përjashtuar as grevën e përgjithshme, që uron të mos i ndodh arsimit në Kosovë.
“Ne kemi lëshuar një deklarim në terren por kemi 700 shoqata sindikale dhe jemi duke i mbledhur deklarimet e tyre dhe do ta bëjmë pastaj një konsultë me kryetarët e nivelit komunal të universiteteve dhe me anëtarët e këshillit drejtues që do t’i raportojmë për gjendjen reale dhe i mbetet këshillit drejtues që të vendosë çka tutje. nuk do të ketë grevë të përgjithshme menjëherë por nuk i përjashtoj veprimet sindikale që do t’i caktojë këshilli por nuk mund ta përjashtoj as grevën e përgjithshme nëse nuk japin efekt apo lëvizje protesta të vogla ose ndonjë grevë 1 orëshe, atëherë i mbetet këshillit drejtues që të marrë vendim të prerë edhe për grevë të përgjithshme, që uroj të mos i ndodhë më arsimit në Kosovë kurrë”, ka deklaruar Rrahman Jasharaj.