Sport
Loja Kosovë-Izrael mund të shtyhet, shkak situata e tensionuar atje
Demokracia
13:55 | 09 Tetor 2023

Share:

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit sipas të gjitha gjasave nuk do të zhvillohet.

Izraelitët e shohin veten në “flakë të luftës” pasi u sulmuan me raketa dhe me këmbësori nga organizata terroriste Hamas.

Për këtë, UEFA i ka pezulluar për një kohë të gjitha ndeshjes që i organizon ajo në territorin e Izraelit, ndërsa shtëpia e futbollit evropian njoftoi së fundmi se është shtyrë ndeshja mes Izraelit e Zvicrës, e paraparë të luhet këtë të enjte në Tel Aviv.

E të njëjtin fat mund ta ketë edhe ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, në plan për t’u luajtur këtë të diel.

UEFA në njoftimin e mbrëmshëm tha se do të vendosë për këtë lojë vetëm në ditët në vazhdim.

Por, menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala e sheh thuajse të pamundur zhvillimin e kësaj ndeshjeje, ndonëse po pret lajme nga UEFA për vendimin final.

“Nuk kemi marrë ende përgjigje zyrtare, duhet të jemi realistë, po e shohim se cila është situata në Izrael. E kemi parë vendimin e fundit të UEFA-s për shtyrjen e ndeshjes kundër Zvicrës, akoma mbesim në pritje të vendimit zyrtar, por sipas të gjitha gjasave do të jetë e vështirë e thënë, për të mos e thënë e pamundshme për t’u zhvilluar ndeshja Kosovë – Izrael brenda kësaj jave. Situata është thuajse e qartë, ndeshja nuk do të zhvillohet, por mbesim ende në pritje të një vendimi zyrtar”, deklaroi Shala në konferencë për shtyp.

Të ngjashme