Lajme
Loja e Kurtit| Pas faturave të larta të rrymës dhe dështimit në Mynih, i rikthehet pagës minimale
Demokracia
18:56 | 21 Shkurt 2022

Share:

Kosova aktualisht e ka pagën me të vogël në rajon, 130 euro deri në moshën 35 vjeçare dhe 170 euro pas kësaj moshe.

I sapokthyer nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku dështoi të realizonte qoftë edhe një takim të vetëm të rëndësishëm për Kosovën dhe sot po përballet me kritika të shumta, Kurti iu rikthye menjëherë premtimeve për rritjen e pagës minimale, që ta largojë vëmendjen nga kritikat për pjesëmarrjen e tij të dështuar në Konferencën e Mynihut.

Ndonëse kishte premtuar që sapo të vinte në pushtet do ta rriste pagën minimale, pas një heshtje të zgjatur, kryeministri Kurti sot ka thënë se ka nisur puna drejt rritjes së pagës minimale, pa dhënë afate kohore se kur do të ndodh kjo, raporton Demokracia.com.

“Përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe rritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi që ata të cilët kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit”, kishte deklaruar Kurti.

Kurti sot ka thënë se si hap i parë drejt rritjes së pagës minimale është rregullimi i kornizës ligjore, megjithatë nuk ka saktësuar se një gjë e tillë merr shumë kohë.

Vlen të theksohet se Kurti i është rikthyer këtij premtimi pikërisht kur këto ditë qytetarëve po u vijnë edhe faturat e rrymës me rritje dhe pakënaqësia qytetare është rritur jashtëzakonisht shumë.

Postimi i plotë:

Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi

Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale.

Si hap i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pages minimale. Ministria e Financave, Punës dhe

Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike.

Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale.

Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi. /Demokracia.com/

Të ngjashme