Me profilin e një politikani të majtë, Albin Kurti “mbante mbi supe”, kauzën për të drejtat e punëtorëve. Zotohej se me ardhjen e tij në pushtet gjendja do të ndryshojë për të mirë.
Premtimin e kishte theksuar edhe pasi për një kohë të shkurtër mbante pushtetin ekzekutiv.
Më 1 maj 2021, zotohej se “”Qeveria do të jetë partnere e ngushtë e organizimit të punëtorëve”, kishte shkruar në Facebook.
Katër vjet më vonë, raporti teorik i Kurtit me sindikatat ka marrë trajtë të kundërt. Këtë e thonë vetë sindikatat.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, kishte thënë për dokumentarin “Rrëfime të Heshtura”, prodhim i Sbunker, i transmetuar në T7 se ekzekutivi i Albin Kurtit i ka refuzuar në takime.
“27 herë kemi kërkesa për të ulur e të bisedojmë me kërkesa me Qeverinë dhe ministrin Murati”, thotë Azemi i zhgënjyer teksa skeptizimin e ka në kulm “kjo nuk ka ndodh dhe me gjasë nuk do të ndodh”.
Pasi ka konsumuar një mandat të plotë, Kurti thotë se deri në fund të këtij viti do të pesëfishojmë numrin e inspektorëve. Por, këtë premtim e ka që nga 8 shkurti 2021, para se të fitonte zgjedhjet e 14 shkurtit – mandat i konsumuar tashmë.
“Gjithashtu do pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës, me synim parandalimin e diskriminimit të punëmarrësve dhe parandalimin e rreziqeve në punë”, thuhet në programinqeverisës të VV për mandatin që ka kaluar. Zotimi nuk është realizuar.
Arton Cerkini nga Inspektorati i Punës, i kishte thënë “Rrëfime të Heshtura” se numri i inspektoreve është dyfishuar
“Numri i Inspektoreve në vitin 2021 ka qenë 31, dhe sot në ditën kur po e bëjmë këtë intervistë i kemi 63 inspektorë, që nënkupton është dyfishu numri”, ka thënë Cerkini.
Teksa Kurti po operon me premtime të vjetëruara, po thirret edhe në rritje të punësimit. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), papunësia në Kosovë është 10.7% – e dhënëku bazohet Kurti.
Por, Kurti nuk përmend dy faktorë shumë të rëndësishëm që kanë ndikuar në këtë normë të papunësisë, 1. Emigrimin 2) fuqinë joaktive.
Sipas raportit të Institutit GAP të botuar në Prill 2025, Shtetet e Bashkimit Evropian (BE-së) lëshuan 45,650 leje-qëndrime për qytetarët kosovarë, me Gjermaninë që dominon me 50% të totalit.
“Një pjesë e personave të cilët po emigrojnë nga Kosova janë nga fuqia punëtore aktive, çka po ndikon në rritjen e kërkesës në vend për punëtorë vendas dhe të huaj”, thotë raporti.
Ndërsa, sa i përket fuqisë joaktive – në ekonomi definicioni klasik i papunësisë është “i papunë është çdokush që kërkon punë dhe nuk mund të gjejë”. Por shumica e popullsisë në Kosovë as nuk kërkon punë.
“Në Kosovë, të dhënat e fundit tregojnë se nga 1,074,704 persona të cilët i takojnë moshës së punës, 461,675 (43%) janë ekonomikisht aktivë në tregun e punës, krahasuar me 613,675 (57%) të cilët janë ekonomikisht jo-aktivë”, thekson raporti duke u bazuar në të dhëna zyrtare.
Për më shumë në Kosovë vazhdimisht janë paraqitur raste të diskriminimit në tregun e punës, akte që nuk justifikohen me ekonominë e tregut – pasi e njëjta kushtetutë që garanton tregun e lirë, e siguron edhe dinjitetin dhe lirinë e individit.