Lajme
Llugë në RTK, nesër dalin ‘faqet e zeza’ në Kuvend
Demokracia
20:38 | 27 Prill 2023

Share:

Radio Televizioni i Kosovës, i vetmi televizion publik nacional, ka një kohë që “sundohet” nga pushteti aktual. Përveç Bordit, që u zgjodh para më shumë se 1 viti, të cilin e udhëheq Besnik Boletini, RTK-ja tashmë e ka edhe menaxhmentin e afërt me VV-në. Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, është aktivist i VV-së, përzgjedhja e të cilit javë më parë shkaktoi kritika të mëdha në adresë të RTK-së.

Por duket se kjo nuk është e vetmja ngjarje e kritikueshme në RTK. Normalisht, në disa raste, Sindikata e RTK-së ka ngritur alarmin për menaxhimin jo të duhur të RTK-së e Bordit të saj. Një gjë të tillë e ka bërë edhe sot përmes një emaili.

Në emailin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, njoftohet se zonja Shukrie Rama, anëtare e Bordit të RTK-së, do të flasë nesër në lidhje me keqpërdorimet në RTK. Në fakt, nesër do të raportojnë edhe Bordi e Menaxhmenti i Lartë i RTK-së në Komisionin Parlamentar për Media në Kuvendin e Kosovës.

“Gjatë këtij takimi pritet që anëtarja e Bordit, Shukrije Rama t’i shpalos pretendimet e saj për parregullësi dhe abuzime të shumta në RTK. Zonja Rama në mbledhjen e kaluar kishte deklaruar se po ndihet nën presion nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së.” – thuhet në njoftimin e Sindikatë së Pavarur të RTK-së.

Në raportimin e kaluar, zonja Shukriu kishte folu rreth presionit ndaj saj.

“Nga data 6 dhjetor 2021 kur kam marrë mandatin si anëtare e bordit të RTK-së, për asnjë moment nuk jam ndier në presion dhe as nuk ndihem në presion as nga partia në pushtet dhe as nga një parti tjetër. Ndjenja e vetme e pakëndshme që e kam përjetuar gjatë mandatit tim ka qenë tendenca për frikësim nga ana e drejtorit të përgjithshëm përmes një ankese drejtuar anëtarëve të bordit. Si tentativë për të më penguar, për të ma mbyllur gojën dhe për të ma ndal zërin sa i përket artikulimeve të çështjeve e problemeve relevante dhe aktuale në RTK, për të cilat jemi të gjithë përgjegjës” – deklaroi Rama, tranmeton Kallxo.com.

Rilindi i RTK-së

Dy muaj më parë, Rilind Gërvalla, aktivist i VV-së, është zgjedhur në krye të televizionit. Me tetë vota pro, të gjithë anëtarët e bordit të transmetuesit të vetëm publik, e miratuan emërimin e Gërvallës në këtë pozitë të rëndësishme në RTK.

“Vendim: Për emërimin e z.Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe”, thuhet në vendim.

“Obligohet z.Rilind Gërvalla që detyrat dhe përgjegjësitë e tij t’i ushtrojë në bazë të legjislacionit në fuqi”

“Z.Rilind Gërvalla ka të drejtë në beneficionet që dalin nga ushtrimi i funksionit të drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe në RTK” – thuhej në vendimin e Bordit.

Në lidhje me këtë përzgjedhje, kishte shumë reagime.

Sekretar i Përgjithshëm në Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, ka kërkuar nga Bordit që të mos votohen kandidatët që janë të përfshirë dhe kanë lidhje politike.

“Bordi i Drejtorëve të transmetuesit publik të Kosovës sot do të votojë për drejtorin e televizionit RTK. I bëj thirrje bordit të RTK-së që të mos votojnë kandidatët me përkatësi politike dhe lidhje të drejtpërdrejta dhe të ngushta me partinë në pushtet apo me ndonjë parti tjetër politike.” – ka shkruar Gutierrez në Facebook.

Ndryshe, RTK-ja së fundmi është kritikuar edhe në lidhje me raportimin rreth arrestimit të Nagip Krasniqit, drejtorit menaxhues të KEK-ut.

 

Të ngjashme