Llazanja është një prej pastave të preferuara për shumicën e njerëzve dhe gatimi i tyre, ndonëse i thjeshtë, gjithmonë do të jetë receta ideale qoftë për një darkë intime apo ndonjë gosti më speciale.
Përbërësit e recetave për llazanje, variojnë shumë dhe mund të themi lirshëm se ju mund t’i shtoni kësaj receta pothuajse secilën perime që dëshironi.
Kësaj radhe kemi gjetur një mënyrë se si të zëvendësojmë petat me përmbajtje brumi të llazanjës me një përbërës më të shëndetshëm, kungulleshkat.
Ky variacion përpos që është më i mirë për neve në aspektin e vlerave ushqyese, do të ndryshojë edhe rutinën tuaj të konsumimit të llazanjës tradicionale.
Përbërësit
500 gr kungulleshka
130 gr mish i grirë
2 domate mesatare
100 ml krem qumështi ose pana
2 vezë
150 ml qumësht
60 gr djathë kaçkavall
30 gr djathë kaçkavall i grirë
1 thelbi hudhër
arrë moskat
borzilok
rigon
vaj ulliri
kripë
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, fillimisht vini mishin e grirë të skuqet në një tigan me pak vaj.
Më pas lani dhe prisni kungulleshkat në katrorë të vegjël.
Hidhini edhe ato të skuqen në një tigan, bashkë me pak vaj ulliri dhe 1 thelbi hudhër.
Në fund shtoni edhe domatet e grira në rende dhe lërini ne zjarr derisa të ketë avulluar plotësisht uji i tyre.
Gatuajini të gjithë këta përbërës duke i shtuar pak borzilok dhe rigon për aromë të mirë. Bëni kujdes që të mos i zbusni shumë kungulleshkat.
Ndërkohë në një enë të pastër hidhni vezët, kremin e qumështit, qumështin, kripën dhe pak pluhur arre moskat.
Përzjejini mirë të gjithë këta përbërës, derisa të përfitoni një masë të lëngshme e të njëtrajtshme.
Zgjidhni më pas një tavë pjekje mesatare, të thellë rreth 20 cm dhe shtroni me kujdes mishin dhe kungulleshkat.
Shtoni po aty edhe përzierjen e qumështit me vezët që përgatitët më parë dhe djathin kaçkavall e prerë në katrorë të vegjël.
Përzjejini me kujdes të gjithë këta përbërës në tavë dhe më pas shtoni pak djathë të grirë kaçkavall sipër.
Futeni tavën në furrë të parangrohur për 30 minuta në temperaturë 180 gradë C.
Bëni kujdes që në 5 minutat e fundit të ngrini pak temperaturën e furrës në mënyrë që të piqet pjesa e sipër e tavës.
Kur të shikoni që ka marrë ngjyrë të artë dhe është pjekur, nxirreni nga furra dhe shërbejeni të ngrohtë llazanjën tuaj të veçantë.