Skuadra e Llapit e ka nisur edicionin 2021/22 larg shtëpisë së tyre, stadiumit “Zahir Pajaziti” që ndodhet në qytetin e Podujevës.
Kjo për faktin se stadiumi është në rinovim e sipër, për shkak të ndërrimit të barit nga artificial në atë natyral, raporton Demokracia.com.
Këto punime do të vazhdojnë ende, ndërsa Llapi ndeshjet si vendas është i detyruar t’i luajë sipas gjitha gjasave në Merdarë, jo shumë larg qytetit.
Demokracia.com mëson se ende nuk ka filluar procesi i mbjelljes së barit natyral në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Madje, klubi llapjan nga sugjerimet e tyre me kompaninë “Iren Limited”, kompani kjo që po kryen punimet në stadium, mund t’i zhvillojë ndeshjet vetëm pas 90 ditësh pas mbjelljes së barit.
Kësisoj, Llapi nuk do mund ta luajë asnjë ndeshje si vendas në stadiumin e tyre në qytetin e Podujevës në sezonin vjeshtor.
Llapi duelin e parë para shikuesve të tyre e ka zhvilluar në Merdare, ndërsa nuk është se e nisi në mënyrën më të mirë.
Llapi dhe Ulpiana ndan pikët në takimin e të shtunës pasi luajtën 1-1.
“Bardhekaltrit” takimin tjetër e kanë në udhëtim te Drita. /Demokracia.com