Në fillim të edicionit ecuria e rezultateve te Llapi kishte lënë përshtypje se futbollitët e Tahir Batatinës synim do ta kishin mbetjen në Superligë dhe as që bëhej fjalë për objektiva madhore.
Me kalimin e kohës dhe ndeshjeve, Llapi e mori veten duke nisur ngritjen në tabelë, raporton Demokracia.com.
Kur edicioni 2021/22 ka hyrë në pjesën e dytë të saj, gjegjësisht në start të stinorit pranveror, Llapi e sheh vetën në hap me skuadrat që e pretendojnë titullin e kampionit.
“Bardhekaltrit” ndodhen në pozitën e katërt në tabelë, por me vetëm pesë pikë larg Dritës e cila është lidere.
Se Llapi ka hyrë në ecuri të mirë të rezultateve tregon edhe statistika e publikuar në faqen zyrtare të klubit. Ata nuk dinë për humbje në 10 ndeshjet e fundit përfshirë ndeshjet në Superligë dhe Kupë të Kosovës.
Tetë fitore dhe dy barazime është bilanci që ka klubi nga Podujeva.
Llapi disfatën e fundit e pësoi nga Drita në shtëpi me rezultat 1:3 në muajin tetor të vitit të kaluar, pra saktësisht para rreth katër muaj.
Fituesit e Kupës dhe Superkupës edicionin e kaluar gëzojnë edhe sulmin më të mirë momental në Superligë me 30 gola të realizuar, vetëm një më shumë se Drita që ka 29.
Llapi ndeshjen e radhës udhëton te Drita për ta zhvilluar derbin e javës së 20-të në elitën e futbollit kosovar./Demokracia.com/