Lajme
‘Llajosh Drenica’, la aktrimin për të vrarë shqiptarët
Demokracia
21:31 | 07 Mars 2021

Share:

Dëshmitë se ish-aktori serb, Llajosh Ballog, kreu krime ndaj shqiptarëve thonë se janë të shumta.

Të gjesh diçka për të, duhet të kërkosh thellë. E më në fund, në arkivat e Teatrit Kombëtar, gjendet edhe dëshmia.

Është ky, aktori serb, Llajosh Ballog, i cili në vitet e ‘80-90, ishte pjesë e Teatrit Kombëtar të Prishtinës.

E aktrimi i tij në këtë skenë, për atë që kolegët e thërritshin, “Llajosh Drenica”, përfundoi me fillimin e luftës së Kosovës. Kjo pasi ai zgjodhi t’u bashkohet forcave serbe, për të kryer me pas, krime kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë.

Beqir Beqiri, i cili është organizator në këtë teatër nga vitet e ’80-ta, kujton kohën e paraluftës, kur punonte me Llajosh Ballogun.

Beqiri thotë për T7 se Llajosh Ballog, tërë kohën shoqërohej me aktorët shqiptarë, dhe fliste vetëm në gjuhën shqipe. Ndërsa shton se gjatë punës në teatër, asnjëherë nuk shfaqi urrejtje për shqiptarët.

Ky e kujton edhe një bisedë më të, kur e pyeti pse të quajnë Lajosh Drenica?

Ndërkohë, ish-kolegët shqiptarë në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, atë e kanë përshkruar si aktor të pakualifikuar, i divorcuar dhe gjithnjë të dehur.

E dëshmi se Llajosh Ballog, iu bashkua foracve serbe, kanë edhe në Këshillin Koordinues për Personat e Zhdukur. Madje, kryetari i këtij këshilli, Ahmet Grajçevci, thotë se Ballog, e kishte edhe njësitin e vet.

Ndërkohë pas luftës, Llajosh Balog, ishte i ftuar në një emision televiziv në Beograd. E pikërisht këtu, Grajçevci thotë se e shfrytëzoi rastin, që publikisht ta akuzonte për krime të luftës ndaj shqiptarëve.

Ndërkohë, kjo video, është nga të paktat që Llajosh Ballog i ka në internet pasi u largua nga Kosova për në Serbi. Në disa intervista në disa mediume serbe, ai pasluftës kishte deklaruar se është optimist se një ditë do të luaj përseri dramë në skenën Teatrit të Prishtinës.

Kur kanë kaluar dy dekada nga lufta, nuk dihet më për fatin e Llajosh Ballogut. Për fatin e tij dhe nëse është nisur ndonjë hetim, nuk kanë dhënë detaje as na Prokuroria Speciale e Kosovës.

Të ngjashme