Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar heroin Xhemail Fetahaj, njëherësh Gjeneral major i UÇK-së, post mortum, me rastin e 23 vjetorit të rënies së tij.
Lladrovci ka theksuar se heroi Xhemail Fetahaj “do të kujtohet gjithmonë për trimërinë e pashoqe, sinqeritetin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm atdhetar, si veprimtar politik, si nismëtar i pajtimit të gjaqeve në fshatin e tij, shok e mik fjalëmbël që motivonte ushtarët për çlirimin e atdheut dhe si komandant i shquar që ushtarëve ju thoshte “ejani pas meje”.
Postimi i plotë i Lladrovcit në rrjetin social:
Para 23 vitesh, heroi Xhemail Fetahaj, ra në altarin e lirisë, duke dëshmuar fuqinë e përkushtimit të tij atdhetar dhe vendosmërinë për çlirimin e Kosovës.
Xhema ishte pjesëtar i familjes atdhetare Fetahaj të Raushiqit, i cili pas aktiviteteve atdhetare, dënohet nga okupatori dhe mban burg shumëvjeçar. Pas rrezikut që i kanosej në atdhe, do të bëhet ndër kontribuuesit më të mëdhenj të organizimit dhe fuqizimit të mërgimtarëve tanë, në veçanti i fondit “Vendlindja Thërret” në diasporë. Ky kontribut gjatë jetës së tij iu duk i vogël, la familjen dhe veshi uniformën e shenjtë të UÇK-së, duke rënë në fushën e nderit.
Ai do të kujtohet gjithmonë për trimërinë e pashoqe, sinqeritetin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm atdhetar, si veprimtar politik, si nismëtar i pajtimit të gjaqeve në fshatin e tij, shok e mik fjalëmbël që motivonte ushtarët për çlirimin e atdheut dhe si komandant i shquar që ushtarëve ju thoshte “ejani pas meje”.
Jeta dhe vepra e Gjeneral major Xhemail Fetahajt, është model i atdhetarit, pajtimtarit dhe kontribuuesit për çlirimin e Kosovës i brumosur me ndjenjat më fisnike të dashurisë për kombin krah kombeve tjera të lira e të përparuara.
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi heroit Xhemail Fetahaj!