Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar Epopenë e UÇK-së dhe të familjes Jashari më 5, 6 e 7 mars 1998, të cilën e cilëson si “ngjarjen më të ndritshme të historisë tonë të re, shënon fillimin e çlirimit të vendit, fillon liria jonë nga qëndresa e Komandantit legjendar Adem Jasharit dhe kullave të familjes Jashari”.
Lladrovci ka shkruar se “Ky përvjetor i shënimit të Epopesë së UÇK-së, po shënohet në kohën kur vlera e UÇK-së, lufta e Komandantit legjendar Adem Jasharit, heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, veteranëve, invalidëve të UÇK-së dhe drejtuesve të UÇK-së, ka peshën e jashtëzakonshme në memorien e kombit tonë”.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Jasharajve legjendar më 5, 6 dhe 7 Mars, shënjon ngjarjen më të ndritshme të historisë tonë të re, shënon fillimin e çlirimit të vendit, fillon liria jonë nga qëndresa e Komandantit legjendar Adem Jasharit dhe kullave të familjes Jashari.
Shënimin e Epopesë së UÇK-së, e filluam me Seancën solemne të përbashkët të Asamblesë komunale të Skenderajt dhe të Drenasit, në Drenas.
Së bashku me drejtuesit lokal të komunës së Drenasit dhe Skenderajt, morëm pjesë në ceremoninë e rreshtimit të njësive ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari”.
Shënimi i Epopesë së UÇK-së, ka vijuar me nderimin pranë Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, së bashku me kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi me bashkëpunëtorët e tij nga Maqedonia e Veriut.
Ky përvjetor i shënimit të Epopesë së UÇK-së, po shënohet në kohën kur vlera e UÇK-së, lufta e Komandantit legjendar Adem Jasharit, heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, veteranëve, invalidëve të UÇK-së dhe drejtuesve të UÇK-së, ka peshën e jashtëzakonshme në memorien e kombit tonë.
Kushtet e zhvillimit të luftës tonë çlirimtare ishin unike në botë, ashtu siç ishte unike përpjekja e tërë popullit tonë kundër okupatorit dhe për këtë morëm përkrahjen e botës demokratike. Ne kurrë nuk do ta harrojmë përkushtimin atdhetar të kontribuuesve për çlirim, andaj ndjekim rrugën e idealeve më të pastra për fuqizimin e shtetit tonë dhe ndërtimin e jetës në liri, me mundësi e kushte të barabarta.
Lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi e përjetshme për Komandantin legjendar Adem Jasharin dhe Familjen Jashari!
Lavdi e përjetshme për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë!