Lajme
Lladrovci me Ali Ahmetin e bashkëveprimtarët promovojnë librin “Triada e Kosovës” e Bedri Islamit
Demokracia
18:46 | 12 Mars 2022

Share:

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkë me Ali Ahmetin, bashkëveprimtarë, kryetarë komunash e deputetë të parlamenteve në Vlorë, kanë promovuar librin “Triada e Kosovës” e autorit Bedri Islami.

Lladrovci ka njoftuar se libri “sjell argumente dhe dritë të re për historinë e re të Kosovës, angazhimin titanik për çlirim. Ky libër meriton të jetë në çdo bibliotekë atdhetari, për gjeneratat e tashme dhe ato që do të vijnë”.

Gjithashtu, në këtë promovim u bë e ditur se do të ndërtohet një muze me emrin “Kosova” me iniciativë të deputetit vlonjat Bujar Leskaj si dëshmi e vlerës së atdhetarizmit të lidhur ngushtë me Kosovën.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Në Vlorën e Pavarësisë, në Vlorën e Ismail Qemalit, me Ali Ahmetin, me bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë, deputetë të tri Parlamenteve tona, kryetarë komunash, qytetarë dhe intelektualë vlonjat, promovuam librin e mikut tim dhe të familjes, librin e shkodranit të Drenicës, Bedri Islamit, “Triada e Kosovës”.

Baca Bedri, është ish drejtues i LPK-së, veprimtar i shquar dhe njohës i jashtëzakonshëm i rrethanave dhe çështjeve nacionale, studiues e shkrimtar, kontribues dhe njohës i veçantë i Kosovës.

Libri “Triada e Kosovës”, sjell argumente dhe dritë të re për historinë e re të Kosovës, angazhimin titanik për çlirim. Ky libër meriton të jetë në çdo bibliotekë atdhetari, për gjeneratat e tashme dhe ato që do të vijnë.

Ne, të pranishmit, miqtë dhe dashamirët e Bedriut nga të gjitha trojet etnike, u njohëm edhe me ambientet dhe iniciativën se Muzeu i ardhshëm ku u mbajt promovimi i librit, do të jetë Muze “Kosova”.

Ky muze do të ndërtohet me iniciativën e deputetit vlonjat Bujar Leskaj dhe është dëshmi e vlerës së këtij atdhetarizmi të lidhur ngusht me Kosovën dhe historinë tonë të re që mori frymëzim nga Vlora e Pavarësisë.

Faleminderit Baca Bedri për këtë vepër madhore!

Faleminderit deputet Bujar Leskaj për pritjen dhe Muzeun “Kosova”!

Faleminderit vlonjat dhe atdhetarët tjerë të pranishëm!

Të ngjashme