Lajme
Lladrovci: Edi Rama meriton falënderim, jo akuza e konspiracione
Demokracia
21:39 | 29 Shtator 2022

Share:

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, meriton falënderim dhe jo akuza e konspiracione.

Lladrovci përmes një postimi në Facebook të enjten ka kritikuar liderët shtetërorë aktual të Kosovës duke thënë se ata do të duhej të kishin qasje tjetër ndaj Ramës marrë parasysh fjalimin e tij në Asamble të OKB-së këtë javë, ku foli për shtetin e Kosovës dhe padrejtësitë ndaj tij.

“Politika Kosova centriste, Kosovën e sheh të ndarë nga tërësia e kombit, duke parë zi e terr nga Shqipëria e duke mos parë as rreziqet as terrorin shtetëror që na bënte Serbia gjenocidale. Këta politikanë Kosova centristë, e kanë mjeshtri mashtrimin, nuk e njohin ndonjë vlerë kombëtare përtej Kosovës. Për fat të keq, tre krerët e shtetit që merren me politikën e jashtme, po i bien të njëjtit tel, nuk po ia atribuojnë asnjë meritë, fjalimit epik të kryeministrit Rama në OKB. Po të shihet fjalimi, lidhur me shtetin dhe shtetësinë, për UÇK-në, udhëheqjen e saj dhe padrejtësitë kundrejt Kosovës, udhëheqësit e Kosovës do të duhej të kenë qasje krejt tjetër që po manifestojnë. Gjithsesi, këta Kosova centrist, nuk marrin mësime as nga Fishta në Konferencën e Paqes, as nga Noli, në Asamblenë e Kombeve. Për më keq, nuk morën mësim as nga fjalimet e Ramiz Alisë më 1990, as së fundmi nga Edi Rama në OKB. Edi Rama meriton falënderim të sinqertë, jo akuza të mjegullta e konspiracion”, ka shkruar Lladrovci.

Lladrovci ka thënë po ashtu se politikanët e Kosovës kanë zilia kundrejt Shqipërisë.
“Edi Rama këto kritika koti i përballon, por, meskiniteti, shpirtngushtësia dhe zilia e politikanëve të Kosovës, kundrejt Shqipërisë, mbetet brengë. Sidomos, për ata që konsiderojnë se Kosova pa përkrahjen e Shqipërisë nuk do të çlirohej dhe se Kosova centrizmi i bën dëm shëndetit nacional”, ka shkruar ai.

Të ngjashme