Lajme
Lista Serbe-Osmanit: Kur t’u deshën votat nuk të dukeshim kriminelë
Demokracia
22:53 | 08 Shtator 2022

Share:

“Lista Serbe për fat të keq është shndërruar në përfaqësuese të interesave të organizatave kriminale, të cilat siç e thash janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara”.

Kësaj deklarate të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, Lista Serbe i është përgjigjur përmes një komunikatë për media, ku deklaruan se pa votat e tyre, kjo e fundit nuk do ta gëzonte postin e Presidentit.

“I rikujtojmë zonjës Osmani se postin që e ka, e ka marrë falë dy deputetëve të grupit parlamentar të Listës Serbe”, shkruan Albanianpost.

Madje, sipas tyre, Osmani e di se cili zyrtar i lartë i Listës Serbe i kishte bindur dy deputetët që ta votojnë për ta zgjedhur atë presidente.

Prandaj, siç kujton partia serbe, në kohën kur në Kuvend po zgjidhej presidenti, “Lista Serbe dhe drejtuesit e saj nuk ishin kriminelë”.

Sipas Listës Serbe, në veri të Kosovës askush nuk e percepton Vjosa Osmanin si presidente.

“Përderisa ajo është e tillë nuk ka çka kërkon në veri të Kosovës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Nga ana tjetër, Osmani për sojin e këtyre deklaratave kishte theksuar se “nuk frikësohen nga unë, por nga udhëheqësit e organizatave kriminale që i kanë bllokuar dhe po i mbajnë peng, po i mbajnë në mënyrë që të rikthehen tensione në stilin e Putinit”.

“Prandaj i ftoj të gjithë që të mos bien preh e propagandës që burimin e ka në Rusi dhe tek njerëzit që i takojnë të kaluarës së Millosheviqit”, shtoi Osmani, duke aluduar këtu në vetë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i cili gjatë të 90-tave ishte ministër i Kasapit të Ballkanit.

Të ngjashme