Lajme
Lista Serbe kërkon mbrojtje me garanci ndërkombëtare: Objektet fetare të popullit serb po shkatërrohen
Demokracia
16:56 | 18 Prill 2023

Share:

Lista Serbe ka reaguar pas incidentit të ndodhur në Kishën e “Shën Pantelisë” në Prizren, dera e së cilës është dëmtuar nga zjarri. Sipas kësaj partie politike objektet fetare të popullit serb po shkatërrohen.

Në një postim në Facebook, nga Lista Serbe është thënë se nevojitet që pozita dhe prona e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë të mbrohet me garanci të forta në nivel ndërkombëtar.

“Në ditën e dytë të Pashkëve, si pasojë e retorikës ndezëse të regjimit të Albin Kurtit, në Kishën e Shën Pantelisë në Prizren është hedhur një mjet shpërthyes, i cili për fat të mirë dhe falë një kalimtari të rastësishëm që ka reaguar nuk e ka shkatërruar plotësisht këtë vend të shenjtë. Në territorin që liderët e Kosovës e reklamojnë si bastion i demokracisë dhe të drejtave të njeriut, objektet fetare të popullit serb po shkatërrohen, para syve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë”, thuhet në reagimin e kësaj partie të komunitetit serb në Kosovë.

Më tej u është bërë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të mbrojnë serbët dhe vendet e shenja serbe.

“U bëjmë thirrje institucioneve kompetente ndërkombëtare, në radhë të parë KFOR-it dhe EULEX-it, që të mbrojnë serbët dhe vendet e shenjta serbe, sepse nxitja e urrejtjes ndaj çdo gjëje serbe është bërë pjesë e deklaratave të përditshme të drejtuesve të institucioneve të Kosovës, të cilat tregojnë se ata nuk janë të gatshëm të mbrojnë njerëzit dhe vendet e shenjta tona”, ka thënë Lista Serbe.

Të ngjashme