Lajme
Lista Guxo po “divorcohet” me Vetëvendosjen në Kuvend, Albena Reshitaj “çelësi” i krijimit të Grupit Parlamentar
Demokracia
19:04 | 13 Qershor 2022

Share:

Lista Guxo së shpejti po planifikon ta krijojë Grupin Parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Listës Guxo, e cila aktualisht i ka pesë deputetë dhe vepron në kuadër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pritet t’i bashkohet së shpejti edhe deputetja Albena Reshitaj.

Demokracia.com ka mësuar se Reshitaj është në prag të kalimit në Listën Guxo, duke u bërë kështu deputetja e 6 e këtij subjekti politik, që është numër kusht për krijimin e një Grupi Parlamentar brenda Kuvendit të Kosovës.

Demokracia.com ka kontaktuar me ish-deputeten e AAK-së, Albena Reshitaj, e cila nuk është përgjigjur me arsyetimin se gjendet jashtë vendit.

Sapo e ka dëgjuar pyetjen, deputetja Reshitaj ka thënë se është jashtë vendit dhe për shkak se është në makinë duke udhëtuar, ajo nuk po dëgjon mirë.

“ Jam jashtë vendit, jam jashtë vendit, jam jashtë vendit… S’po dëgjoheni mirë se jam në makinë t’u udhëtu. Më vonë, më vonë, dëgjohemi”, ka thënë deputetja Albena Reshitaj.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me deputetin e këtij subjekti politik, Burim Meta, i cili ka thënë se aktualisht nuk ka diçka të tillë.

“Asgjë të vërtetë deri më tani s’ka”, ka thënë shkurtër Meta për Demokracia.com.

Gjatë një vizite në SHBA, Reshitaj është parë shumë e afërt me deputetë të Listës Guxo dhe Vetëvendosjes.

Deputeti i LVV-së, Fitim Uka, ndonëse e kishte paralajmëruar muaj më parë largimin nga politika, Demokracia.com ka mësuar se atij i ishte kërkuar nga kryeministri Kurti që të mos e braktiste mandatin e deputetit, pasi që në radhë pas tij ishte një kandidat i Listës Guxo, duke arritur kështu që ta parandalonte deri më tani ndarjen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. /Demokracia.com/

Të ngjashme