Aktivisti i PDK-së, Milot Krasniqi, i cili u arrestua gjatë aktivitetit të partisë kundër ambasadorit Martin Berishaj, tashmë është liruar.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Para pak çastesh është liruar aktivisti ynë, Milot Krasniqi, i cili sot u arrestua pa të drejtë dhe në mënyrë arbitrare, gjatë protesës së tij ndaj Ambasadorit Martin Berishaj”, njoftoi Krasniqi në Facebook.
Lideri i PDK-së tha se në vend të aktivistit, ai që duhej arrestuar është ambasadori Berishaj, “për aferën e dyshimtë korruptive dhe për dëmin e madh që i ka shkaktuar imazhit të Kosovës”.
“Janë miliona euro që Ambasadori Berishaj i ka marrë nga kompania GEN-I me seli në Beograd, disa kallëzime penale të ngritura e dhjetëra raportime të mediave ndërkombëtare për aferën skandaloze, që kërkojnë sjelljen e tij para drejtësisë”, shkroi tutje Memli Krasniqi.
Sipas tij, Berishaj s’duhet të flasë nëpër konferenca sikur sot, por të përgjigjet para organeve të drejtësisë.