Lajme
Lirohen nga akuza për korrupsion tre ish-zyrtarët e Prishtinës dhe i akuzuari për mashtrim
Demokracia
16:44 | 13 Korrik 2023

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani, lidhur me akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kjo gjykatë aktgjykim lirues ka shpallur edhe ndaj të akuzuarit Naim Dushku, për veprën penale mashtrim.

Aktgjykimi lirues ndaj të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatëses Dërmaku të akuzuarit në mungesë të provave lirohen nga aktakuza për shkak e nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilat akuzohen.

Shpenzimet e procedurës bien mbi barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës.

Të dëmtuarit, pasardhësit e të dëmtuarit tani të ndjerit, P.D, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

Urdhërohet Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, që të bëjë përmirësimin e aktvendimit sipas kontratës për mbajtje të përjetshme.

Shpenzimet e procedurës bien mbi barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës.

Ndërsa, palët e pakënaqura kanë të drejtë të ankesës kundër aktgjykimit në afatin ligjor prej 30 ditësh nga momenti kur pranohet në formë të shkruar.

Paraprakisht, në seancën e mbajtur po të njëjtën ditë, i akuzuari Naim Dushku ka dhënë mbrojtjen e tij dhe është dhënë fjala përfundimtare.

I akuzuari Dushku ka deklaruar se kërkesën për mbartjen e pronësisë në emër të tij, e kishte parashtruar në vitin 2013, të cilës kërkesë ia kishte bashkangjitur edhe kontratën mbi mbajtjen e përjetshme të lidhur në mes tij dhe babit M.D, në vitin 1998.

Ai ka thënë se më vonë e kishte parë se e gjithë prona ishte bartur në emër të tij, megjithatë nuk kishte marrë ndonjë veprim për këtë, për shkak se nuk kishte pasur nevojë pasi që vëllai i tij. P.D i ka poseduar dhe i posedon.

I akuzuari Dushku ka sqaruar se në kërkesë kishte kërkuar që të bëhet bartja e pronësisë në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, në të cilën kontratë vëllait të tij, P.D, babi ia kishte lënë trashëgimi katin përdhese të shtëpisë, me objektet përcjellëse.

Ndër të tjera, i akuzuari Dushku ka potencuar se nuk i njeh të akuzuarit e tjerë në këtë çështje penale, por që të njëjtit i kishte njoftuar në gjykatë, sipas tij, asnjëherë të njëjtëve nuk iu kishte dhënë para apo ndonjë përfitim tjetër që pronësia të bartej në emër të tij.

Ndërsa gjatë dhënies së fjalës përfundimtare prokurorja Dulina Hamiti ka thënë se me administrimin e provave dhe dëshmive në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Andaj, e njëjta i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve Spahiu, Thaqi dhe Peqani, avokatët Daut Rudi, Visar Vehapi dhe Blerim Halimi, fjalën përfundimtare e kanë dorëzuar me shkrim.

Avokat Halimi gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare ka thënë se konsiderojnë se e mbrojtura e tij, Peqani do të shpallet e pafajshme.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Dushku, avokati Ramiz Krasniqi në fjalën përfundimtare ndër të tjera tha se nuk ka asnjë provë se i mbrojturi tij, ka ndryshuar diçka qoftë ndaj kërkesës apo kontratës në mënyrë që të vej në lajthim shërbimin, që pastaj t’ia regjistrojnë pronën në emër të tij.

Në fund, avokati Krasniqi i propozoj gjykatës që të mbrojturin e tij ta liroj nga akuza.

Fjalët përfundimtare të mbrojtësve të tyre i kanë përkrahur edhe të akuzuarit Spahiu, Thaqi, Peqani dhe Dushku.

Ndryshe, më 22 shkurt 2019, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte liruar nga akuza zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani. Ndërkaq, kjo gjykatë të akuzuarin për mashtrim, Naim Dushku, e kishte dënuar me dy vjet burgim efektiv dhe tre mijë euro gjobë.

Por, Gjykata e Apelit këtë rast më 6 nëntor 2019 e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se janë të bazuara pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, nga arsyeja se përkundër se gjykata e shkallës së parë ka administruar të gjitha provat, të njëjtat nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

“Sipas Gjykatës së Apelit të Kosovës gjykata e shkallës së parë përkundër administrimit të këtyre provave si dhe deklaratave të akuzuarve Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi, Doruntina Peçani të dhëna në prokurori, ku kanë pranuar se kanë ndërmarrë veprime për regjistrimin e paluajtshmërisë në emër të Naim Dushkut, e në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, mirëpo gjykata e shkallës së parë nuk e ka vërtetuar faktin se këta të akuzuar, si zyrtarë kompetent, a e kanë ditur saktë përmbajtjen e kontratës, sepse nga kjo kontratë qartë rezulton se Mehmet Dushku një pjesë të pronës së tij ia ka lënë edhe djalit tjetër, tani të dëmtuarit P.D, fakte këto që drejtpërsëdrejti ndikojnë edhe në vërtetimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarve të përmendur”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Aty thuhet se nga aktgjykimi i atakuar nuk dihet se cila është gjendja faktike dhe se gjykata e shkallës së parë vetëm ka numëruar provat materiale një nga një, mirëpo nuk ka bërë analizimin e tyre, e që sipas Apelit, aktgjykimin e tillë e bën jo të plotë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 14 dhjetor 2017, të akuzuarit Shiqeri Spahiu, Ramadan Thaqi dhe Doruntina Peqani, duke qenë në cilësinë e zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Prishtinës, kanë shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që t’i sjellin përfitim pasuror të pandehurit Naim Dushku.

Në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, tani i ndjeri M.D, i kishte lënë trashëgimi djemve të tij, të pandehurit Naim Dushku, tani të dëmtuarit P.D një pronë të paluajtshme në ngastrën kadastrale prej 612 metra katrorë.

Të akuzuarit Spahiu, Thaqi dhe Peqani, thuhet se duke u thirrur në kontratën mbi mbajtjen e përjetshme të lidhur në mes të ndjerit M.D dhe të pandehurit Naim Dushku, kanë regjistruar dhe evidentuar këtë pronë në regjistrin kadastral të Komunës së Prishtinës, në emër të të pandehurit Naim Dushku.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës Spahiu, Thaqi dhe Peqani, kanë nxjerrë aktvendim, më 5 nëntor 2013, për aprovimin e kërkesës së Naim Dushkut për bartjen e pronës së paluajtshme prej 612 metra katrorë

Të akuzuarit e lartpërmendur, sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit P.D në vlerë prej 500 mijë euro.

Kurse, i pandehuri Naim Dushku, sipas aktakuzës, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka regjistruar pronën në regjistrat e Drejtorisë Kadastrale në Komunën e Prishtinës, duke u thirrur në kontratën e lartpërmendur dhe duke mos i treguar vëllait të tij, P.D.

 

Të ngjashme