Qeveria e Kosovës këtë javë vendosi për lehtësimin e masave anti-Covid, duke e hequr kështu plotësisht orën policore në qytetet që ishin në zonën e kuqe. Vendimi ka zgjuar reagime të ndryshme, nga kritikat e liderëve politikë e deri tek lavdërimi nga biznese e qytetarë.
Me vendimin e Qeverisë së Kosovës më nuk do të ketë kufizim të lëvizjes për qytetarët në asnjë qytet në Kosovë, ndërsa të gjithë operatorëve ekonomik, në komunat që janë në zonën e kuqe, do t’iu lejohet të punojnë deri në orën 22:00, raporton Demokracia.com.
Por, vendimi që erdh vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, nxiti kritika nga ata që disa prej masave i panë si të motivuara politikisht; por edhe lavdata nga bizneset edhe qytetarë që kishin filluar të vënin në dyshim efikasitetin e masave të ndërmarra.
Këto janë të gjitha masat e reja lehtësuese që ka marrë Qeveria e Kosovës
Ekspertët e fushës thanë që nuk janë konsultuar për vendimin.
Mikrobiologu Lul Raka si anëtar i Bordit Këshilldhënës për pandeminë, deklaroi se për lehtësimin e masave nuk janë konsultuar fare nga Qeveria.
“E shoh të arsyeshme të jap një sqarim se as unë, si kryesues i Bordit dhe asnjë anëtar i Bordit nuk është konsultuar për një propozim të tillë.”, bëri të ditur Raka.
Të nderuar/a,
Sot, në media e pashë një shkresë zyrtare të qeverisë, në të cilën kërkohet lirimi i masave kufizuese “…
Posted by Lul Raka on Thursday, February 11, 2021
Supozime për motive u dëgjuan nga disa adresa. Reagimi më i dalluar ishte ai i Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili e cilësoi si vendim të movituar politikisht.
Një nga akuzat ishte se vendimi pengon kosovarët nga diaspora të cilët udhëtojnë në Kosovë për të marrë pjesë në zgjedhje pasi u kërkon test për të vërtetuar se nuk janë të ifektuar me Covid-19 apo të vet-izolohen për shtatë ditë, edhe pse më vonë u mësua se kjo masë ka qenë në fuqi prej më herët.
Infektologu Ilir Tolaj, për Demokracia.com ka thënë se koha kur është marrë vendimi për lirim të masave e shtron pyetjen për motivet e vërteta të këtij vendimi.
“Timingu i lirimit të masave nga autoritet qeveritare lë një shije të hidhur për motivet e vërteta të këtyre masave. Situata e volitshme epidemiologjike në Kosovë lidhur me COVID-19 është qe disa muaj. Madje as prezenca e një numri të madh të bashkatdhetarëve tonë nga bota e jashtme, të cilët ishin në Kosovë gjatë festave të fundvitit, nuk pati asnjë ndikim në këtë ecuri. Kështu, nëse është dashur të ketë lirim të masave, kjo është dashur të ndodhë javë e muaj më herët.”, ka thënë Tolaj.
Ai tutje për Demokracia.com ka shtuar se gjatë fushatës parazgjedhore nuk u respektuan masat anti-Covid dhe se brenda dy javëve, do të shihej ndikimi i tubimeve të politikanëve.
“Për shkak se fushata parazgjedhore ishte brutale në kuptim të mosrespektimit të masave anti-Covid të deklaruara, meqë dita e zgjedhjeve është shumë afër dhe masat nuk janë liruar më herët, atëherë ndoshta nuk do të ishte më e arsyeshme që të pritej edhe për dy javë të tjera. Kështu, brenda kësaj periudhe, do të shihej ndikimi real i këtyre tubimeve parazgjedhore dhe i papërgjegjësisë së politikanëve në ecurinë e pandemisë.”, bëri të ditur Tolaj.
Tolaj në fund tha se nëse edhe pas tubimeve që u bënë pak para zgjedhjeve nuk ka rritje të numrit të rasteve të reja, atëherë mund të thuhet se në Kosovë është arritur një imunitet kundër Covid-19.
“Nëse edhe pas këtyre tubimeve të këtilla parazgjedhore dhe pas lirimit të masave nuk do të kemi një rritje të numrit të rasteve të reja në Kosovë, atëherë me një siguri të madhe mund të konstatojmë se në Kosovë tashmë është krijuar një imunitet i kënaqshëm kolektiv kundër COVID-19, i cili edhe po e luan rolin kryesor në ecurinë e favorshme të pandemisë tek ne.”, tha ai për Demokracia.com.
Në anën tjetër, Shoqata e Gastronomëve e ka mirëpritur vendimin për lehtësim të masave.
“Ky është lajm i mirë për zonat e ranguara me rrezik të lartë… por edhe për Kosovën”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, që përfaqëson një prej sektorëve më të goditur nga pandemia.
Madje, kjo Shoqatë ka paralajmëruar protesta nëse masat do të ashpërsohen përsëri në të ardhmen.
Ndryshe, numri total i rasteve pozitive është 63.805 raste nga 261.492 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.540 raste të vdekjes.