Terengganu siguroi mbrëmë kalimin për në finale të Kupës së Malajzisë, duke eliminuar Kuala Lumpur Cityn në gjysmëfinale.
Terengganu fitoi me rezultatin 2:1, për t’u kualifikuar për në finale me rezultatin e përgjithshëm 4:2, shkruan Gazeta Express.
Vëmendje nga kjo ndeshje mori një skenë në të cilën u përfshi futbollisti nga Kosova, Liridon Krasniqi.
Mesfushori u ankua për një lëndim në fundin e ndeshjes, me ç’rast u kërkua që të largohet me barelë nga fusha.
Megjithatë, gjatë rrugës për të lënë fushën, 31-vjeçari nga Vitia u rrëzua nga barela dhe ra në tokë.
Ai fajësoi stafin që po e bartnin, por veprim i tij u cilësua si qëllimshëm, pasi gjyqtari kryesor e ndëshkoi me karton të verdhë, për shkak të vonimit të ndeshjes.
Liridon Krasniqi pastaj u largua në këmbë nga fusha. /Gazeta Express/