Fatmir Limaj ka pranuar humbjen e partisë së tij, Nisma Socialdemokrate.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një konferencë për medie ka pranuar rezultatin zgjedhor, kështu duke pranuar humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën më 14 shkurt, raporton Demokracia.com.
“Këtë radhë Nisma nuk do të jetë pjesë e parlamentit por kjo në asnjë mënyrë nuk do të ndalë zërin e fuqishëm të nismës të kauzës sonë… ne nuk heqim dorë nga përkushtimi për atdheun tonë, Kosovën. Kosova është atdheu ynë”, theksoi Limaj ndër të tjerash.
Limaj po ashtu e ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në këto zgjedhje.
“T’i uroj fituesit e zgjedhjeve besimin e popullit. Nuk ka asnjë arsyeje, është koha e punës. Ne do të vëzhgojmë besimin që keni marrë nga populli. Është koha për punë dhe qeveri stabile”, tha ai.
Ai kërkoi nga LVV-ja që t’i përmbush të gjitha zotimet, duke thënë që shpreson që qytetarët të mos zhgënjehen me votën e tyre.
“Shpresoj që të mos zhgënjehen njerëzit që kanë dhënë besimin e tyre anë e kënd Kosovës…”, theksoi Limaj.
Tutje sipas tij, kauza e Nismës Socialdemokrate për çlirimtarët dhe për Ligjin për gjenocidin do të vazhdojë pavarësisht se ata nuk do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Unë në emër të kryesisë së partisë nga shpirti ju falënderoj që mbështetët kauzën tonë, ka qenë një fushatë elektorale e jashtëzakonshme, kemi arritur një objektiv të madh pasi ata që tentuan ta përdhosin kauzën tonë, vlerat tona kombëtare njerëzore, t’i rikthejmë edhe njëherë fuqishëm në skenën tonë, në opinionin publik të Kosovës, të gjithë ata që tentuan të zbehin e të fyejnë ato vlera, gjatë fushatës elektorale i pamë se ju kthyen këtyre vlerave. Ne do të vazhdojmë në promovimin e vlerave të kauzës sonë, do të jemi zëdhënës i atyre mijëra votuesve tonë, nuk do të ndalemi”, tha ai ndër të tjera.
Theksojmë se në bazë të rezulytateve të deritanishme të KQZ-së, Nisma Socialdemokrate ka arritur që të marrë vetëm 2.58 për qind të votave. /Demokracia.com/