E propozuara për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka insistuar se duhet të vazhdohet me votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ajo ka thënë se duke pasur parasysh urgjencën për formimin e institucioneve shpreson që Kushtetuesja shpejt do ta thotë fjalën e saj.
“Nuk e di edhe sa herë duhet ta paraqesim qëndrimin e VV-së. Siç e kemi thënë në vazhdimësi të drejtën për të propozuar e ka partia e parë. Ajo çfarë duhet është që deputetë të marrin pjesë në votim, të votojnë komisionin për votimin e fshehtë, qoftë për, kundër apo abstenim por jo të mos marrin pjesë në votim. Këtu shtrohet pyetja se për çfarë po vijnë. Pra është e rëndësishme që ky komision të formohet për ta bërë votimin e fshehtë. Po ashtu siç e dini tashmë ka një lëndë kushtetuese, duke pasë parasysh urgjencën shpresojmë që Kushtetuesja ta thotë sa më parë fjalën për këtë. Ne i kemi dërguar komentet tona”, tha Haxhiu.
Për bashkëpunimin e mundshëm mes LVV-së dhe Nismës së Fatmir Limajt, Haxhiu tha se i shohin këta të fundit si partnerë. Por, ajo tha se fillimisht duhet të shkohet me konsituimin e Kuvendit.
“Ne kemi theksuar që i shohim si partnerë tanë. Për këtë ka pasur disa takime. Diskutimet vazhdojnë për këtë qëllim dhe urojmë të përmbyllen sa më parë.
Para Qeverisë është Kuvendi. Kemi shumë punë për të bërë, kemi shumë plane në Qeverinë Kurti 3, prandaj është shumë e rëndësishme të konstituohet Kuvendi. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me partitë politike për konsituimin e Kuvendit, por asnjëherë nuk do t’i pranojmë kërkesat e tyre që janë të paarsyeshme”, tha Haxhiu.