Lajme
Ligji për Grevat, neni 13 mbron grevistët: Nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund të largohen nga puna
Demokracia
16:10 | 29 Gusht 2022

Share:

Qeveria Kurti nuk ka të drejtë që grevistëve të sektorëve të ndryshëm publik, t’ua ndalojë pagën për aq kohë sa qëndrojnë në grevë. Kjo do të ishte kundërligjore.

Qysh në ditën e parë të grevës që ka nisur në Kosovë, Qeveria Kurti është munduar ta shtypë atë përmes presionit të paprecedentë. Ministria e Financave është vënë në aksion për të siguruar listat e të gjithë atyre grevistëve në mënyrë që t’ua ndalojnë pagën.

Ministria e Financave thirret në Nenin 18 të Ligjit për Grevat në Kosovë, duke e shmangur Nenin 13 të të njëjtit ligj.

Neni 13 i Ligjit për Grevat, në mënyrë specifike mbron të drejtat e të punësuarëve gjatë grevës. Ligjvënësit e kanë emërtuar këtë nen në mënyrë të qartë: Mbrojta e të drejtave të punësuarëve gjatë grevës, raporton Demokracia.com.

Edhe pse Ligji për Grevat është ndryshuar në vitin 2012, paragrafi 1, i Nenit 13, ka mbetur i pandryshuar.

Ky paragraf tregon qartë se: “Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarëve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’iu ndërpritet marrëdhënia e punës”.

Edhe pse ky nen nuk lë vend për asnjë dyshim, Qeveria Kurti është duke vazhduar me presionin e saj për të shtypur këtë grevë të paralajmëruar kohë më parë.

Presioni i Qeverisë Kurti mbi grevistët se do t’iu ndalet paga, është i paprecedentë, pasi asnjë Qeveri deri më tani nuk ka ndëshkuar grevistët.

Situata është e paprecedentë edhe për faktet se Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, në kohën sa ishin në opozitë, kanë mbështetur vazhdimisht protestat dhe grevat e arsimtarëve e mjekëve, por edhe të sektorëve të ndryshëm, duke fajësuar gjithnjë qeveritë e kaluara./Demokraci.com/

Të ngjashme