Lajme
Ligji për Byronë | Pasi e shkeli, Kurti i bindet Kushtetutës, i kërkon Haxhiut me urgjencë do t’i procedojë ndryshimet
Demokracia
23:35 | 29 Qershor 2024

Share:

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar tërësisht Ligjin Për Byronë e Konfiskimi të Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky ka qenë njëri ndër ligjet kryesore të proklamuara nga Lëvizja Vetëvendosje. Pra kjo i bie se ligji duhet të shkruhet edhe njëherë nga fillimi. Proces ky që do të zgjaste përtej mandatit të mbetur të kësaj qeverie.

Nga ana tjetër, pasi që kuptuan vendimin e Kushtetueses, Qeveria e Kosovës u zotua se me urgjencë do t’i procedojnë ndryshimet. Çfarë thanë qeveritarët?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e mbajtur dje në qeveri ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të fillojë me ndryshimet në lidhje me këtë ligj, transmeton nacionale.

Kurti në adresimin e tij para ministrave ka thënë se këto ndryshime duhet të procedohen me urgjencë në qeveri, duke shtuar se drejtësia duhet të bëhet dhe se drejtësi duhet të ketë dhe do të ketë.

1 vjet e 4 muaj i janë dashur Gjykatës Kushtetuese të sjellë vendimin për Byronë, ende të pa publikuar e të paqartë. Uroj që nuk do i duhen edhe katër muaj të tjerë që ta publikojë Aktgjykimin. Ndërkohë, kërkoj nga Ministria e Drejtësisë, që menjëherë të fillojë me ndryshimet dhe të procedojë me urgjencë në Qeveri. Drejtësia duhet të bëhet. Drejtësi duhet të ketë. Drejtësi do të ketë.” – ka thënë Kurti para ministrave.

Nga ana tjetër edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u zotua që beteja e tyre për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet.

Kështu deklaroi Haxhiu në reagimin e saj të parë pasi që Gjykata Kushtetuese rrëzoi këtë ligj.

Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet.” – ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Edhe zëvendësministri i Haxhiut, Blerim Sallahu u shpreh në të njëjtën linjë, duke thënë se Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të bëhet.

Nëse mendoni që do të na stoponi e keni shumë shumë gabim. VETËVENDOSJE! jemi NE. Kuptone drejt dhe qartë. Menjëherë do të fillojmë me plotësimin e dëshirave (të cilat nuk janë të tyre) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të bëhet.” – ka shkruar Sallahu në Facebook.

Të ngjashme