Lajme
Ligji i Kurtit u dërgua në Kushtetuese pas 104 ankesash| Çfarë do të ndodhë tash me pagat e zyrtarëve publikë?
Demokracia
14:05 | 08 Prill 2023

Share:

Ligji për Pagat në Sektorin Publik ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Këtë ligj, nga i cili preken pagat e mbi 80 mijë punonjësve, Avokati i Popullit ia ka dërguar dje Kushtetueses pas 104 ankesave të pranuara për të. Për procedurat që do të vijojnë tash dhe afatet, ka treguar Naim Jakaj, Hulumtues i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD). Ai ka sqaruar se punëtorët e sektorit publik do të vazhdojnë t’i marrin pagat sipas këtij ligji, derisa Gjykata të mos vendosë ndryshe.

Dy muaj pas hyrjes në fuqi, Ligji për Pagat në Sektorin Publik i është dërguar Gjykatës Kushtetuese, për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën.

Për këtë Ligj, Institucioni i Avokati i Popullit ka pranuar 104 ankesa deri dje, shumica e të cilave kanë qenë për zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Pas trajtimit të këtyre ankesave, Avokati i Popullit i është drejtuar dje Kushtetueses.

Paralajmërimet e para se Ligji do të përfundonte në këtë gjykatë, ishin dhënë qysh në kohën kur Qeveria e mbante sekret vlerën monetare të koeficientit. Ato ishin shtuar më shumë ditën kur ishte vendosur vlera e koeficientit, e që është 105 euro për këtë vit dhe 110 për vitin e ardhshëm.

Për procedurat që vijojnë tash pasi Ligji është në Kushtetuese, ka folur për Gazetën Express Naim Jakaj, Hulumtes i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas Jakajt, punëtorët e sektorit publik do të vazhdojnë t’i marrin pagat sipas ligjit aktual në fuqi, meqë Avokati i Popullit s’ka propozuar Masë të Përkohshme për pezullimin e ligjit. Por, shton se edhe pse një kërkesë e tillë s’është bërë, kjo s’e ndalon Gjykatën që të vendos masa të përkohshme.

“Sipas kërkesës të dorëzuar dje në Gjykatën Kushtetuese vërehet se Avokati i Popullit nuk ka propozuar Masë të Përkohshme për pezullimin e ligjit deri në vendosje nga ana e kësaj gjykate. Rrjedhimisht, punëtorët e sektorit publik do t’i marrin pagat sipas ligjit aktual në fuqi. Megjithatë, mos kërkesa e Avokatit të Popullit për masë të përkohshme, nuk e ndalon Gjykatën Kushtetuese, që sipas detyrës zyrtare të vendos përkohësisht masa të përkohshme ndaj një çështje që është objekt i procedurës, në këtë rast të pezullojë dispozitat që janë kontestuese nga Avokati i Popullit”, ka deklaruar Jakaj.

Jakaj ka sqaruar edhe procedurat që ndiqen tash nga Gjykata Kushtetuese dhe afatet.

“Fillimisht, Sekretaria e GjK-së dorëzon një kopje palës kundërshtare dhe palëve të tjera në procedurë, me kërkesën për të dorëzuar përgjigje, arsyetim dhe prova të tjera të nevojshme. Afati për ta bërë këtë është 45 ditë. I gjithë dokumentacioni shqyrtohet nga gjyqtari raportues i cili brenda 30 ditëve ka afat që raportojë lidhur me faktet, lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës. Në rast se kërkesa, përgjigjet në kërkesë, janë të paqarta ose dokumentacioni është i pakompletuar, gjykata ka edhe një afat tjetër prej 15 ditëve për të marrë përgjigje nga pala.  Pas kësaj procedure, kolegji shqyrtues duhet të vendosë nëse kërkesa i plotëson kushtet formale për procedim të mëtutjeshëm”, ka thënë Jakaj.

E në rastin kur kolegji shqyrtues vendosë mbi pranueshmërinë e kërkesës, Jakaj thotë se “atëherë propozim aktgjykimi do të sjellet për shqyrtim për të gjithë gjyqtarët për një periudhe prej dhjetë ditësh”.

Ai ka përmendur edhe rastin e vitit 2020, kur Ligji për Paga kishte përfunduar në Kushtetuese.

“Në rastin e kaluar, pra në vitin 2020, kur është vendosur për Ligjin për Paga, procedura e vendosjes për ligjin për paga, ka shkuar deri në gjashtë muaj”, ka deklaruar Jakaj.

104 ankesa

Avokati i Popullit njoftoi dje se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, ka pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.

“Ankesat e pranuara kryesisht kanë të bëjnë me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj”, thuhet në komunikatë.

Procesi deri në hyrjen në fuqi të këtij Ligji, u cilësua jotransparent.

“Për më tepër, Avokati i Popullit vlerëson se ky ligj nuk e bart frymën e Aktgjykimit KO219/19, në kuptimin e parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuptimin e sundimit të ligjit, në veçanti parimin e barazisë para ligjit, si dhe në kuptimin e mbrojtjes të së drejtës së pronës të subjekteve në sektorin publik.”

Sipas Avokatit të Popullit, Ligji i kontestuar në përgjithësi ka krijuar një situate divergjente, ku të gjithë të punësuarit nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë as me rastin e uljes dhe as me rastin e ngritjes së pagave.

“Megjithatë, Avokati i Popullit, duke u bazuar në Aktgjykimin KO 219/19, sipas të cilit çdo ulje e pagave duhet të jetë e tillë që të mos e vërë barrën e shkurtimit të pagës vetëm te disa persona ose sektorë të caktuar të sektorit publik dhe se arsyet për ulje pagash duhet të jenë shumëfish më të qëndrueshme sesa arsyet për rritje pagash; nuk e konteston ligjin dhe shtojcat e tij në pjesët ku për sektorë të caktuar ka rritje pagash dhe ku është ndjekur një qëllim legjitim për rritje të tilla, por shpreh shqetësimin e tij për ulje pagash në mënyrë arbitrare, madje pa u plotësuar as kushtet e përcaktuara me vetë Ligjin e kontestuar, sipas të cilit pagat mund të ulen për shkak të një tronditjeje makroekonomike, e cila rezulton në zvogëlimin e të ardhurave, apo të një fatkeqësie natyrore, të shpallura zyrtarisht”, thuhet në komunikatën e dërguar dje nga IAP.

Ndryshe, Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

“Shkeljet kushtetuese të evidentuara në Ligjin e kontestuar janë të një peshe aq serioze, sa që të njëjtat ndikojnë në bërthamën e funksionimit të qeverisjes në Republikën e Kosovës – duke shkaktuar çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe Institucioneve të Pavarura”, thuhej ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Të ngjashme