Lajme
Ligji i kontestuar për KPK-në t’i dërgohet Presidentes për shpallje, thotë Gjykata Kushtetuese
Demokracia
16:41 | 23 Prill 2025

Share:

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka shpallur të pranueshme kërkesat e deputetëve Abelard Tahiri dhe nëntë deputetëve të tjerë të Kuvendit, dhe kërkesës tjetër me parashtrues Arben Gashin dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit, të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 2, 5, 6, 7, 13, dhe 16 të Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Gjykata ka vendosur, (i) njëzëri, të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë, me gjashtë vota për dhe një kundër, se nënparagrafët 1.3, 1.4 të paragrafit 1, dhe nënparagrafët 2.4 dhe 2.8 të paragrafit 2 të nenit 5 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk janë në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] në ndërlidhje me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, njëzëri, se paragrafi 1 i nenit 7 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iv) të konstatojë, njëzëri, se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Aktgjykimi sqaron se “si rezultat i mungesës së argumenteve specifike të parashtruesve të kërkesave dhe saktësimit të pretendimit në lidhje me kundërkushtetutshmërinë e dispozitës që përcakton vendimmarrjen me shumicën e thjeshtë të të gjithë anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Gjykata vlerësoi vetëm pretendimet lidhur me kuorumin dhe vendimmarrjen prej 4 (katër) anëtarëve në rast të mospjesëmarrjes në mënyrë të vazhdueshme të disa anëtarëve të këtij Këshilli”.

“Në vlerësimin e këtij pretendimi, Gjykata rikujtoi praktikën gjyqësore të saj në rastet KO100/22 dhe KO101/22, si dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias për rëndësinë përcaktimit të mekanizmave kundërbllokues në procedurat e vendimmarrjes në këtë institucion, me qëllim të garantimit të funksionimit të Këshillit”.

“Për pasojë, Gjykata vlerësoi se përcaktimi i kuorumit prej 4 (katër) anëtarëve dhe vendimmarrjes me votat e 4 (katër) të pranishmëve në mbledhje të Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila zbatohet vetëm në rastet e (i)  mos pjesëmarrjes së vazhdueshme të anëtarit në takimet e këtij Këshilli; dhe në (ii) rrethana ku iniciohet procedurë disiplinore ndaj anëtarit, i garanton asaj funksionimin në kryerjen e mandatit kushtetues dhe atij të përcaktuar me ligj, si dhe një detyrim të Kuvendit që të zgjedhë anëtarët e një organi të pavarur kushtetues, pjesë e sistemit të drejtësisë, në shërbim të administrimit të mirëfilltë të drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u tha ndër të tjera në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Të ngjashme