Lidhja e Bizneseve të Kosovës, ka dhënë mbështetjen e saj për protestën e thirrur për nesër kundër shtrenjtimit të rrymës, duke ftuar bizneset që edhe ato të ngrihen kundër rritjes së çmimit të energjisë, shkruan Gazeta Express.
Në komunikatën për media, thuhet se Lidhja e Bizneseve të Kosovës e mbështet fuqishëm protestën e thirrur për datën 5 prill, të cilën LBK e cilëson si një akt të domosdoshëm për të kundërshtuar rritjen e paralajmëruar dhe të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike.
‘‘Kjo rritje nuk është barrë që duhet ta mbajnë qytetarët dhe bizneset, por është pasojë direkte e dështimeve të institucioneve – të cilat kanë neglizhuar për vite me radhë investimet në prodhimin dhe mirëmbajtjen e energjisë’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Po ashtu, nga LBK thuhet se rritja e çmimit të energjisë është një sulm direkt ndaj ekonomisë, e cila do të shkaktojë: Rënie të fitimit për mijëra biznese; Humbje të vendeve të punës; Mbyllje të ndërmarrjeve të vogla; Rritje të çmimeve për qytetarët.
Komunikata:
Lidhja e Bizneseve të Kosovës fton bizneset të ngrihen kundër rritjes së çmimit të energjisë
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) mbështet fuqishëm protestën e thirrur për datën 5 prill, si një akt të domosdoshëm për të kundërshtuar rritjen e paralajmëruar dhe të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike.
Kjo rritje nuk është barrë që duhet ta mbajnë qytetarët dhe bizneset, por është pasojë direkte e dështimeve të institucioneve – të cilat kanë neglizhuar për vite me radhë investimet në prodhimin dhe mirëmbajtjen e energjisë.
Bizneset nuk mund të jenë viktima të mosveprimit institucional.
Rritja e çmimit të energjisë është një sulm direkt ndaj ekonomisë – ajo do të shkaktojë:
Rënie të fitimit për mijëra biznese,
Humbje të vendeve të punës,
Mbyllje të ndërmarrjeve të vogla,
Rritje të çmimeve për qytetarët,
Dobësim të konkurrencës vendore përballë tregjeve të huaja.
Shumë biznese kanë shprehur gatishmërinë të investojnë në energji të pastër – por ligjet aktuale nuk i lejojnë. Po u mbyll një derë zhvillimi, po hapet dera e krizës.
Për më tepër, propozimi për shtimin e blloqeve të konsumit mbi 800 kWh është një tjetër goditje për biznesin dhe qytetarin.
LBK nuk do të heshtë. Nuk do të lejojmë që rritja e çmimit të energjisë të kalojë pa kundërshtim.
Ftojmë të gjitha bizneset, pa dallim, të jenë pjesë e protestës më 5 prill.
Ky është momenti për të qëndruar bashkë dhe për të mbrojtur të ardhmen tonë ekonomike.
Nëse nuk veprojmë sot, do të paguajmë më shumë nesër.
LBK është gjithashtu i kemi adresuar vrejtjet tona dhe kemi argumentuar demtimet qe i behen bizneseve dhe qytetareve nese kemi rritje te energjise, si Lidhje e Bizneseve jemi duke shqyrtuar hapa të tjerë ligjorë dhe institucionalë për të kundërshtuar si këtë rritje të pajustifikuar, ashtu edhe planet për liberalizimin e tregut energjetik pa garanci dhe strategji. /GazetaExpress