Lajme
Lideri serb që Albin Kurti e lavdëroi si proevropian, dërgoi në Hagë mijëra dokumente kundër UÇK-së
Demokracia
17:04 | 08 Prill 2023

Share:

Avokati i njohur serb Toma Fila, që e ka mbrojtur në Tribunalin e Hagës edhe kasapin e Ballkanit, Slobodan Millosheviq, ka bërë të ditur se mijëra dokumente me akuza kundër liderëve të UÇK-së janë dërguar tek ish-kryeprokurorja Carla del Ponte në Hagë, me urdhër të kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javë më parë e përkujtoi me dhembshuri kryeministrin Zoran Gjingjiq në 20-vjetorin e vrasjes së tij, raporton Demokracia.com.

Kurti më 12 mars ka shkruar në Facebook se Gjingjiq ishte ndër liderët e rrallë politikë të Serbisë që ishte pro perëndimit, që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin, etj., duke shkaktuar befasi në opinionin publik dhe pakënaqësi të shumta në Kosovë. Këto ditë edhe deputeti i Kurtit, Armend Muja, e lartësoi Gjingjiqin si lider, duke thënë se në kohën e tij Serbia ishte edhe më demokratike se Kosova dhe shtetet e rajonit.

Por, avokati Toma Fila, që ishte kritikues i madh i Gjingjiqit dhe përkrahës i fuqishëm i liderëve  kriminelë serbë të Serbisë, Bosnjës dhe Kosovës, tregon për kërkesën e ish-kryeprokurores Carla del Ponte, drejtuar Beogradit, pas vitit 2000, kur Qeverinë serbe e drejtonte kryeministri Zoran Gjingjiq.

“Carla del Ponte vazhdimisht na thoshte se pse nuk po i japim dëshmi kundër UÇK-së dhe dëshmi se kush kanë qenë komandantë në UÇK, zinxhirin komandues të UÇK-së”, ka thënë Fila në një intervistë, më 6 mars të këtij viti, për Tv Kurir, medium i kontrolluar nga presidenti serb Aleksandar Vuciq.

“Mirëpo unë e di se Zoran Mijatovic, asokohe zëvendës i Kryeshefit të UDB-së, me urdhër të Zoran Gjingjiqit, i ka dorëzuar këto dëshmi”, ka deklaruar ai, përcjell Demokracia.com.

Sipas tij, në atë kohë, në qarqe ndërkombëtare ende nuk kishte pajtim se duhej barasvlesuar krimet e Serbisë me ato të UÇK-së, mirëpo kjo gjë, siç thotë ai “ndodhi tek pas raportit të Dick Martyt”.

Carla del Ponte ka ngritur aktakuzat kundër Fatmir Limajt (2003) dhe Ramush Haradinajt (2005), si dhe ka lansuar gënjeshtrën sensacionale për “Shtëpinë e Verdhë” në Shqipëri, ku kinse është bërë trafikimi i organeve të serbëve të kidnapuar, akuza që dolën të pavërteta edhe në Gjykatën Speciale në Hagë. /Demokracia.com/

Të ngjashme