Lajme
Liderët e “VLEN”-it në Prishtinë për të marrë “bekimin” e Kurtit për koalicionin me Mickoski-n
Demokracia
22:25 | 18 Maj 2024

Share:

Në kohën kur koalicioni i partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, “VLEN”, pasi që humbi zgjedhjet në taborin shqiptar ndaj “Frontit Evropian”, ka filluar negociatat për formimin e qeverisë së re me Hristjan Mickoskin, kreun nacionalist maqedonas të VMRO-DPMNE-së, liderët e këtij koalicioni kanë vizituar në zyrën e tij Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të marrë “bekimin” e tij për koalicionin qeverisës me Mickoski-n.

Si në zgjedhjet presidenciale (24 prill), njashtu edhe në ato parlamentare (8 maj) në Maqedoni të Veriut, kryeministri Kurti kishte qenë i përfshirë drejtpërdrejtë duke i dhënë mbështetje të hapur koalicionit “VLEN” – madje kishte pasur në listat e tyre kandidat për deputet këshilltarin e tij Bekim Qoku – rrjedhimisht ishte rreshtuar kundër “Frontit Evropian”, që drejtohet nga Ali Ahmeti.

Mirëpo, përkundër mbështetjes së Kurtit, “VLEN” ka pësuar humbje në të dy proceset zgjedhore. Por, përkundër se humbës, kjo nuk i ka penguar ata që të fillojnë negociatat me partinë fituese maqedonase VMRO-DPMNE-në, duke e anashkaluar kështu parimin e fituesit në taboret përkatëse të dy popullsive shumicë në Maqedoni të Veriut.

Pas disa takimeve direkte që liderët e “VLEN”-it kanë pasur me Mickoski-n, të njëjtit tani kanë ardhur në Prishtinë për ta takuar atë që u dha mbështetje të hapur – por të pamjaftueshme për të fituar zgjedhjet – kryeministrin Kurti.

Albin Kurti me liderët e “VLEN”-it gjatë takimit të shtunën.

Ky takim ngjan më atë që liderët e “VLEN”-it, përkatësisht Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami e Afrim Gashi e kishin pasur me Kurtin në Prishtinë më 30 janar, nga i cili ishte bërë me dije se do të dilnin me kandidat shqiptar për President të Maqedonisë së Veriut, e ai do të ishte Taravari – i cili do të humbte në garën presidenciale në taborin shqiptar nga Bujar Osmani i “Frontit Evropian”, me një diferencë rreth 40 mijë vota.

Në komunikatën që zyra e kryeministrit e lëshoi për këtë takim të së shtunës, u tha se Kurti me liderët e “VLEN”-it, ndër të tjera, kanë diskutuar për influencën ruso-serb, por edhe për çështjet me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Aty theksohet se takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit “të përzemërt”, duke mbajtur parasysh se shqiptarët në Ballkan “janë faktor i padiskutueshëm në mbështetje të demokratizimit, integrimit evropian, paqes e sigurisë dhe qëndrueshmërisë euroatlantike”.

Partia maqedonase me të cilën “VLEN” është duke tentuar që të bëjë koalicion, pra VMRO-DPMNE, vazhdimisht, posaçërisht gjatë fushatës zgjedhore, kishte ngritur tonet nacionaliste kundër shqiptarëve, posaçërisht ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.

Madje, kandidatja e tyre për Presidente të Maqedonisë (tanimë presidente në detyrë), Gordana Siljanovska-Davkova, kishte propozuar krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së – mes forcave ushtarako-policore maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me Komandat Suprem Ali Ahmetin, transmeton albanianpost.

VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Mickoski të gjithë fushatën zgjedhore e kishin reduktuar në sulme ndaj BDI-së dhe Ahmetit, derisa nuk kishte nguruar që të tregonte se në koalicion qeverisës preferon që ta ketë “VLEN”-in, dhe për ta dëshmuar këtë pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit ishte takuar në Shkup me Taravarin.

Përkundër këtyre, Kurti po e mbështet “VLEN”-in, edhe në këtë pikë, pra koalicion me VMRO-në nacionaliste, ardhja e së cilës në pushtet nga shumë njohës ndërkombëtarë të zhvillimeve në rajon është parë si “problematike” për procesin integrues evropian të këtij vendi, për shkak se kjo parti është kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për integrim në Bashkimin Evropian.

Ndryshe, në zgjedhjet e parlamentare të 8 majit në Maqedoni të Veriut, ka dy fitues të qartë. “Fronti Evropian” te shqiptarët dhe VMRO-DPMNE te maqedonasit.

“Fronti Evropian”, arriti që të marrë mbi 30 mijë vota më shumë se koalicioni i mbështetur nga Kurti, “VLEN”. Sa i përket mandateve të deputetëve përsëri Fronti prin bindshëm ndaj “VLEN”.

Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut janë 120 ulëse gjithsejtë. Prej tyre 19 i takojnë “Frontit Evropian”, ndërsa 13 koalicionit “VLEN”, diferenca 6.

Ndërsa, te kampi maqedonas, fitues absolut është partia nacionaliste VMRO-DPMNE, e cila siguroi plotë 58 ulëse në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, derisa LSDM-ja, partia që deri më tani kishte pushtetin mori vetëm 18 deputetë – rezultatin më të dobët në histori të saj.

Ulëse në kuvendin maqedonas kanë fituar edhe dy parti të tjera maqedonase. Nga 5 sosh i kanë marrë e majta ekstrem “Levica”, dhe Lëvizja “ZNAM”.

Të ngjashme