Lajme
Liberalizimi i vizave / A rrezikon Kosova të humbasë asetin e saj më të madh?
Demokracia
13:49 | 03 Janar 2024

Share:

SHKRUAN: Clare Nuttall

Kosovarët e mirëpritën me padurim vendimin e BE-së për të lejuar udhëtimin e tyre pa viza në hapësirën Shengen. Por ky veprim ka shqetësuar disa punëdhënës në vend. Në një vend me shkallë të lartë migrimi dhe me të rinj me aftësi shumë të kërkuara, çështja është nëse do të ketë apo jo një eksod masiv nga vendi nga ky muaj e në vazhdim.

Kosova ka tashmë një nga diasporat më të mëdha në botë, në krahasim me popullsinë, dhe një nga shkallët më të larta të migrimit në rajon. Dërgesat në para të kosovarëve që punojnë jashtë vendit, kryesisht në Evropën Perëndimore por edhe gjetkë, përbëjnë rreth 16 për qind të PBB-së.

S’ka dyshim se banorët e Kosovës janë të prirur të udhëtojnë jashtë vendit. Gati në çdo cep të rrugëve në Prishtinë dhe gjetkë ka agjentë udhëtimi, madje dhjetëra prej tyre në qytetet kryesore, që ofrojnë udhëtime për në vendet skandinave, Britaninë e Madhe, Francë, Zvicër, Turqi dhe mbi të gjitha në Gjermani.

Pavarësisht ekonomisë relativisht dinamike të Kosovës – ishte një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në Evropën në zhvillim gjatë pandemisë së koronavirusit, por edhe krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë – ajo mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë.

Po ashtu, bashkë me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, gjatë dekadave të fundit ka përjetuar një migrim masiv. Kjo dukuri u përshkallëzua nga lufta për pavarësi nga Serbia në fundin e viteve 1990, por ka vazhduar edhe pas pavarësisë. Kosova ka një shkallë të lartë papunësie, e cila zakonisht është mbi 10 për qind, sidomos tek të rinjtë.

Sipas rregullave të reja, qytetarët e Kosovës do të lejohen të udhëtojnë në BE pa viza për periudha deri në 90 ditore brenda një periudhe 6-mujore. Këshilli i Ministrave të BE-së dha dritën jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën më 9 mars 2023, dhe Parlamenti Evropian miratoi vendimin muajin e ardhshëm.

Nga 1 janari, Kosova nuk është më i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilit nuk mund të udhëtonin pa viza në vendet e BE-së. “Ky moment historik, është gjithashtu një bazë e rëndësishme për të ardhmen dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të ngushtë ndërmjet BE-së dhe Kosovës”- tha raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën Thijs Reuten në prillin e vitit të kaluar kur u miratua ky vendim.

Por që nga fillimi i këtij muaji, kosovarëve do t’u lejohet hyrja pa viza edhe në Zvicër, një vend anëtar i zonës Shengen, por jo pjesë e BE-së, për qëndrime afatshkurtra, edhe pse atyre do t’u nevojitet ende një vizë për të punuar në këtë vend.

Humbje e talenteve?

Disa biznesmenë të intervistuar së fundmi nga IntelliNews në Prishtinë, u shprehën të frikësuar se kompanitë e tyre do ta kenë jo pak të vështirë të gjejnë punonjës, pasi do të jetë shumë e fortë joshja e migrimit në vendet e BE-së për punë më të paguara.

Sektorë si shitja me pakicë, paguhen aktualisht vetëm 300-400 euro në muaj, shumë më poshtë nivelit mesatar të vendeve të Evropës Perëndimore. Kosovarët më të kërkuar janë punëtorë të kualifikuar në industrinë e teknologjisë së informacionit, një sektor me një rritje shumë të shpejtë.

Megjithatë, përfaqësuesit e këtij sektori nuk mendojnë se do ta kenë të vështirë të gjejnë burime njerëzore tani që ka hyrë në fuqi regjimi i udhëtimit pa viza në vendet e BE-së. Ata theksojnë se pagat e larta që u ofrojnë profesionistëve kompanitë e teknologjisë së informacionit, po u japin të rinjve arsye të forta që të qëndrojnë në vend, duke adresuar kësisoj edhe problemet e ndërlidhura të papunësisë, varfërisë dhe emigrimit të lartë.

 “Njerëzit në sektorët e tjerë, janë të shqetësuar pasi besojnë se punonjësit e tyre do të ikin jashtë vendit dhe nuk do të kthehen më”- thotë Vjollca Cavolli, presidente e STIKK, shoqata që përfaqëson sektorin e teknologjisë së informacionit në Kosovë. Ajo shton se punëdhënësit në këtë sektor nuk e kanë frikë të tillë.

“Disa prej tyre po ikin, por do të kthehen”-shprehet ajo, duke argumentuar se suksesi i sektorit është “pjesë e masave efektive kundër largimit të më të kualifikuarve”. Kërkesa për punëtorë të kualifikuar në këtë sektor, është aq i lartë sa që pagat në këtë sektor janë të krahasueshme me ato në Evropën Perëndimore, por në të njëjtën kohë kostot e jetesës janë shumë më të ulëta.

”Të gjithë po i ftojnë ata që të migrojnë në vendet e BE-së. Por ata e dinë se nëse shkojnë në Gjermani kostot e jetesës janë shumë të larta. Ndaj është më mirë të jesh në shtëpi me familjen dhe miqtë duke punuar në distancë, dhe duke fituar të njëjtën shumë që do të fitonit në Gjermani apo BE. Këtu mund të jetosh si mbret. Kur njerëzit largohen, kjo zakonisht ndodh për dy arsye:për një arsimim më cilësor dhe për sisteme më të mira të kujdesit shëndetësor”- thekson Cavolli.

“Në një vend ku papunësia është e lartë për fuqinë punëtore të pakualifikuar, është i madh edhe potenciali për të migruar nga këtu në vendet e BE-së. Sektori i teknologjisë së informacionit e shkurajon këtë gjë sepse pagat janë shumë të larta”- thotë Valon Grabanica, drejtues i kompanisë teknologjike Kosbit me qendër në Prishtinë.

Ndërkohë, Shpend Lila, menaxher i trajnimeve, aktiviteteve dhe i marrëdhënieve me publikun në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK), deklaron se lëvizshmëria është një gjë e mirë për Kosovën. Ai është i bindur se njerëzit do të rikthehen në Kosovë me aftësi të vlefshme, me përvojë dhe me kapitale financiare.

“Njerëzit duhet të lëvizin. Ata duhet migrojnë dhe jetojnë për disa vite në Perëndim. Duhet të mësojnë nga sukseset por edhe dështimet. Por unë jam i sigurt se një ditë ata do të rikthehen”- thekson ai. Ai thekson se njerëzit që u larguan nga Kosova qëkur ishin fëmijë në vitet 1980-1990 po kthehen tani, dhe disa nga kompanitë më të mëdha në Prishtinë janë ngritur nga pjesëtarë të diasporës që kanë jetuar për shumë kohë në Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera. “Brezi i sotëm nuk do të ikë përgjithmonë…Ai do të kthehet një ditë dhe madje më i fuqizuar”- thekson ai.

Burimi IntelliNews, përshtati në Shqip Gazeta Si

Të ngjashme